75 Mall Live Search
09:19 / E Hënë, 26 Korrik 2021 / C E

Lamela transferohet te Sevilla, Tottenham merr talentin spanjoll Gil

Aventura e Eric Lamela te Tottenhami mund të quhet e përfunduar pas plot 8 sezonesh. I transferuar në Londër verën e 2013-ës për një shifër prej 30 milionë paundësh, sulmuesi argjentinas nuk arriti të shndërrohet në një titullar fiks te “Spurs”-at dhe tani pritet të vijojë karrierën në kampionatin spanjoll.

Mediat iberike raportojnë se 29-vjeçar është parë në qendrën stërvitore të Sevillas, ku pritet që të kryejë edhe testet mjekësore, para se të firmosë kontratën e re, që do të kompletonte transferimin e tij në klubin andaluzian.

Kartoni i Lamela është vlerësuar rreth 25 milionë euro, ndërsa Tottenham pritet të shtojë edhe 25 milionë euro të tjera për të transferuar në Londër talentin 20-vjeçar spanjoll Bryan Gil, i cili është në pronësi të klubit të Sevillas.

Pas një sezoni mjaft të mirë te Eibari, ku ishte në huazim, Gil u kërkua me ngulm nga trajneri i Tottenham, Nuno Espirito Santo dhe drejtuesit e klubit ia plotësuan dëshirën, duke ofruar shkëmbimin me Lamela dhe një sasi parash.

E nëse argjentinasi ka mbërritur në Andaluzi e po kryen testet mjekësore, talenti spanjoll Gil është i angazhuar me “Furia Roja”-n në Lojërat Olimpike të Tokios dhe pritet të “fluturojë” drejt Londrës vetëm në mesin e muajit gusht, për t’u vënë në dispozicion të trajnerit të tij të ri.