75 Mall Live Search
20:06 / E Martë, 10 Gusht 2021 / AR

Detaje/ Si e “fshehu” zyrtari i Pejës turkun që kërkohej për vrasje dhe trafik droge

Më 7 korrik 2021 Indeksonline kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e Baris Nakipoglu, njëri ndër personat më të kërkuar në Turqi për vrasje dhe trafik droge.

I njëjti ishte arrestuar në territorin e Kosovës, saktësisht në autostradën “Ibrahim Rugova” afër Prizrenit nga njësitet elite të Policisë së Kosovës.

Nakipoglu ishte fshehur në Kosovë prej vitesh duke ndërruar identitet e ku kishte arritur të pajisej edhe me dokumente të Republikës së Kosovës.

Personi që kishte ndihmuar të pajiset jashtëligjshëm me dokumente të Kosovës është zyrtari i gjendjes civile në Komunën e Pejës, 63-vjeçari Halit Gashi.

Gashi është arrestuar sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike.

Gashi e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile Baris Nakipoglun duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile.

Indeksonline kishte siguruar kopje të pasaportës dhe letërnjoftimit të Nakipoglu që në dokumente të Kosovës ka emrin Irfan Zeman.

“Irfanit”, që në dokumente të Kosovës i shkruan vendlindja Vitomericë, nuk i kishte mjaftuar qëndrimi në Kosovë, ai me dokumente të Republikës së Kosovës kishte udhëtuar drejt Malit të Zi në datat 16 maj 2019 dhe 29 maj 2019.

Turku i shumëkërkuar ishte pajisur me dokumente të Kosovës me 07 maj 2019 ndërsa data e skadimit të letërnjoftimit dhe pasaportës së tij ishte 06.05.2029.

Kështu i dyshuari, Halit Gashi ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme.

Personi i huaj, Baris Nakipoglu ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer)./Indeksonline/

Zyrtari i KK Pejë – Halit Gashi