ALMP2, projekti i UNDP-së që po iu ndihmon të riatdhesuarve që të hapin biznese

Pesëmbëdhjetë vite përvojë pune si berber i kanë mundësuar Driton Bajramit që të ndërtojë besimin e duhur tek klientët e tij të cilët çdo ditë drejtohen te ai për shërbime.
Pas një dekade e gjysmë bagazh mbi supe, Dritoni më në fund arriti që të hapë biznesin e tij personal në tetor 2020 dhe gjithë atë eksperiencë të fituar ndër vite ta vazhdojë edhe më tej si sipërmarrës i ri në tregun e punës.

Të shumtë janë klientët e Dritonit, që i kanë qëndruar besnik për vite me radhë, të cilët vijnë çdo ditë jo vetëm për të marrë shërbimet e nevojitura, por edhe për të biseduar e ndarë histori së bashku.

Dritoni parapëlqen të flasë për periudhën 2014-2015, kur kishte migruar në Suedi për tu kthyer fare pak kohë më pas në Kosovë, për përpjekjet për të ri nisur gjithçka nga fillimi, angazhimin dhe motivin për të ndërtuar një jetesë të mirëfilltë në Kosovë, për veten dhe familjen e tij.
“Ka qenë çështje momenti kur kam vendosur të marrë rrugën për në Suedi, kam shpresuar për një jetë më të mirë atje. Rikthimi ka qenë i shoqëruar me sfida por jam shumë i lumtur që tani po arrij të konsolidoj një biznes personal të ndërtuar mbi përvojën time të gjatë si berber”, thotë Dritoni.

Dritoni jeton në Obiliq me gruan dhe dy fëmijët e tij. Përpjekjet e tij për t’iu bashkuar tregut të punës si ndërmarrës i ri janë mbështetur nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), në bashkëpunimin me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet Projektit për Programet Aktive të Tregut të Punës 2 (ALMP2).
Dritoni është mbështetur nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit që ka për qëllim mbështetjen e krijimit të bizneseve të reja të cilat janë të afta ti mbijetojnë tregut të punës në Kosovë.