75 Mall Live Search
20:09 / E Martë, 17 Gusht 2021 / OSH

Vitia tregon masat e reja anti-COVID nga e premtja, thotë se do të angazhohen edhe 1 mijë punonjës shëndetësorë

Pas rritjes së rasteve pozitive me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë do të aplikojë masa të reja për luftimin e kësaj pandemie.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar gjatë konferencës për medie se do të shtohen ekipet e vaksinimit, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësor nëpër sektorë të ndryshëm.

Ai u shpreh se kanë marrë miratim nga Ministria e Financave që të shtojnë resurset njerëzore, në mënyrë që të jenë të përgatitur.

“Do të rekrutojmë me procedura sa më të shpejta 1 mijë punonjës shëndetësor në SHSKUK, në IKSHPK, ne inspektorat e vende të tjera”, tha Vitia.

Vitia u shpreh se “Qysh nesër do t’i propozojmë Qeverisë për marrjen e masave kufizuese që do të prekin disa sektorë, por që janë të domosdoshme”.

“Do të propozojmë të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë. Ndërsa do të propozojmë edhe një zgjidhje për dasmat, me shumë kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që kanë bërë qytetarët tanë”, tha ministri Vitia.

Ai u shpreh se, “Arsyeja pse masat kufizuese do të merren në këta sektorë është sepse është evidente që shpërndarja e virusit po vjen nga grumbullimi i madh dhe mos-respektimi i këtyre masave”, tha Vitia.