75 Mall Live Search
07:12 / E Mërkurë, 18 Gusht 2021 / OSH

Uran Ismaili bun në Gërmi me shatorre për të përjetuar Prishtinën më ndryshe

Nikoqir i kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, nuk është asnjë familje, por disa qytetarë që i janë bashkëngjitur idesë së tij për të bujtur në parkun e Gërmisë me shatorre.

Nga qëndrimi aty, Ismaili ka thënë se edhe ky park mundet të bëhet më i shfrytëzueshëm për qytetarët si për ecje të familjeve, shtigje të biçikletave, vrap apo edhe për të kaluar ndonjë natë sikurse ai sonte, njofton Klan Kosova.

Por, Ismaili thotë se duke shkuar në konak të familjeve të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit nuk e ka për qëllim vetëm të bëjë fushatë, por edhe të instalojë një lidhje më të afërt mes kryetarit të komunës dhe qytetarëve.

“Lidhja mes kryetarit të komunës dhe qytetarit është shkëputur, por apetiti për t’u bashkuar ekziston. Në çdo shtëpi asnjëherë s’kemi gjetur një energji që thotë “se ti kryetar duhet të punosh dhe ne nuk jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në përmirësimin e jetës dhe qytetit tonë”, por tregojnë që ata janë të gatshëm që ta kemi një kulturë të qeverisjes tjetër ku jemi të hapur dhe kemi përfaqësim të duhur në komunë dhe komuna të mos jetë e mbyllur për qytetarë. Ekziston një mungesë e komunikimit mes qytetarit dhe komunës”.

Ismaili në një intervistë për Edicionin Special ka thënë se nuk do të kritikojë edhe aq shumë ish-kryetarët e Prishtinës, por se është i interesuar për përmirësimin e së ardhmes.

“E kam vizion me këqyrë përpara, nuk më interesojnë si kanë ardhur ato probleme, por si me i zgjidhë ato”.

Ismaili ka thënë se si ish-ministër i Shëndetësisë është i gatshëm të ndihmojë edhe kundërkandidatin e tij për garën e kryeqytetit.

“Mund ta ndihmoj këdo sepse kështu i ndihmoj qytetarëve të Kosovës. Nuk më ndajnë vijat partiake e as politike për të dhënë kontributin tim në shoqëri, prandaj Arbeni apo kushdo që të jetë nuk do të më zmbrapsë për këtë”.