75 Mall Live Search
13:34 / E Enjte, 19 Gusht 2021 / OSH

Eshtrat e dëshmorit Muhamet Musliu do të rivarrosen sot në Skënderaj

Eshtrat e dëshmorit Muhamet Musiu do të rivarrosen sot në Varrezat e Dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Marinë, Skënderaj.

Përmes një komunikate bëhet e  ditur se rivarrosja do të bëhet në 17:00.

“Pas identifikimit të mbetjeve mortore, ceremonia e rivarrimit të Dëshmorit Muhamet Musliu do të organizohet sot , në Varrezat e Dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Marinë, Skenderaj, në ora 17:00, nga Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me shoqatat e dala nga Lufta Çlirimtare, Forca e Sigurisë së Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mbrojtjes dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në mbështetje të kërkesave të familjes”, thuhet në njoftim.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti dhe Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, kanë pritur familjarët e Dëshmorit Muhamet Musliu.

“Dëshmorët, të rënët dhe të gjithë që na mungojnë, janë vula e lirisë sonë”, theksoi Hoti.

Në këtë rast, familjarët e Dëshmorit Muhamet Musliu, djali Ardion Musliu, vëllezërit Fitim Musliu dhe Liri Musliu, falënderuan Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur për angazhimin dhe përkrahjen në veçanti gjatë muajve të fundit me qëllim të adresimit të informatave dhe identifikimit të mbetjet mortore të zhvarrosura, si dhe për gatishmërinë e vazhdueshme për t’u përgjigjur në përkrahje të kërkesave të familjes.