Sindikata e quan skandaloz e ofendues vendimin e Qeverisë për ndarjen e “pak” mjeteve për punëtorët shëndetsorë

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot mjete shtesë për punëtorët shëndetësorë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Me vendimin e sotëm, punëtorët shëndetësorë në sektorin publik do të marrin rritje të pagës prej 10% në pagën bruto, e jo më pak se 60 euro për muajt gusht, shtator e tetor.
Federata e Sindikateve të Shëndetësisë e ka quajtur këtë vendim si skandaloz e ofendues.
“FSSHK shpreh indinjatën dhe zhgënjimin e thellë të punëtorëve shëndetësor në lidhje me këtë Vendim duke qenë se punëtorët shëndetësor kanë punuar dhe ofruar shërbime shëndetësor edhe gjatë muajve Qershor dhe Korrik 2021 e me këtë rast është shkelur Ligji nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës respektivisht neni 20 në të cilin parashihet shtesa në pagë për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë gjatë Pandemisë COVID-19.
Me këtë Vendim Qeveria në sy të popullit po mundohet të tregohet populliste dhe mbështetëse kinse e punëtorëve shëndetësor por në fakt ky është vetëm një degradim i rradhës.
FSSHK pas përpjekjeve të vazhdueshme për të zhvilluar dialogun social me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës i drejtohet popullatës së gjerë e në veqanti punëtorëve shëndetësor se vendimi i sotëm është skandaloz dhe dekurajues,do të kishte qenë më e udhës që mos të përmenden fare shtesat e të punohet intenzivisht në hartimin e Ligjit të Pagave i cili është jetik për punëtorët ne sektorin publik e në veqanti për punëtorët shëndetësor.
FSSHK që sot është duke i kontaktuar forumet e veta dhe javën tjetër do të mblidhet Këshilli Drejtues si organ më i lartë vendimmarrës për të vendosur në lidhje me reagimet sindikale.
Në fund me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës kundrejt punëtorëve shëndetësor nuk do të ketë paqe sociale dhe për të gjitha dëmet e shkaktuara përgjegjëse do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës” thuhet në reagimin e Sindikatës./Indeksonline/