PDK-së i dalin telashe në Klinë, KQZ pritet ta decertifikoj Bashotën për kryetar komune

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar një ditë më parë fajësinë ish kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota për mosdeklarim të pasurisë.
I njëjti është nominuar nga PDK dhe ceritifikuar nga KQZ për kryetar të Klinës.
Por, çka ndodhë në raste të tilla.
“Indeksonline”, ka kontaktuar me drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftarajn, i cili ka thënë se në momentin kur KQZ ka certifikuar kandidatin e PDK-së për Kryetar të Komunës së Klinës Sokol Bashota, i njëjti ka pasur aktakuzë aktive dhe jo dënim të formës së prerë. Për këtë arsye, i njëjti edhe është certifikuar nga KQZ.
“Por, pas kësaj, aktgjykimi dënues ndaj z. Bashota tanimë ka marrë formën e prerë dhe për këtë arsye, kandidimi i tij për Kryetar të Komunës së Klinës është në kundërshtim me ligjin. Përkitazi me këto situate, neni 29.4. i Ligjit Nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës përcakton se “29.4 “Nëse kandidati i cili është certifikuar nga KQZ-ja është apo ka arritur statusin sipas të cilit ai apo ajo humb aftësinë për të qenë kandidat sipas dispozitave të paragrafit 1 të këtij neni, ai person decertifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe largohet nga lista e kandidatëve të subjektit politik në fjalë”, ka thënë Miftaraj për “Indeksonline”.
Më tutje ai ka thënë se në kuptim të këtij neni, KQZ pas pranimit të informacionit se ndaj Bashotës ka një aktgjykim dënues të formës së prerë, duhet të revokojë vendimin për certifikimin e Bashota dhe ta decertifikoj të njëjtin për kandidat për Kryetar të Komunës së Klinës.