Sa refugjatë afganë janë evakuuar dhe ku janë ata sot?

Pas rimarrjes së pushtetit nga talebanët në Afganistan, qindra mijëra afganë që bashkëpunuan me forcat perëndimore gjatë 20 viteve të fundit, iu drejtuan aeroportit të Kabulit nga ku prej javësh u kryen dhjetëra operacione evakuimi.
Operacioni i drejtuar nga SHBA është mbyllur tashmë, me avionin e fundit që u nis nga Kabuli në mesnatën e të martës – 31 gushti ishte data për të cilën SHBA ra dakord me talebanët, për t’u tërhequr plotësisht nga Afganistani.
Por sa Afganë u evakuuan?
Më shumë se 123,000 civilë u evakuuan nga forcat amerikane dhe partnerët e tyre, por numri i saktë i qytetarëve afganë mbetet ende i paqartë.
Por sa Afganë u evakuuan?
Më shumë se 123,000 civilë u evakuuan nga forcat amerikane dhe partnerët e tyre, por numri i saktë i qytetarëve afganë mbetet ende i paqartë.
SHBA ka deklaruar se kanë evakuuar nga Kabulit rreth 80,000 civilë, prej tyre 5,500 shtetas amerikanë dhe më tepër se 73,500 afganë.
Qeveria amerikane ka refuzuar të tregojë një shifër të saktë të afganëve që kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara që prej evakuimeve nga Kabuli, duke qenë se shumica prej tyre ndodhen për momentin në shtete transit, nga ku po i bëhen të gjithë kontrollet e sigurisë, para nisjes në destinacionin e tyre final, SHBA.
Kriza e evakuimeve është vetëm një problematikë e shtuar mbi 2.2 milionë refugjatëve afganë që kishin nisur të arratisen kohë më parë dhe ndodhen nëpër vende fqinje si dhe shtete të tjera në botë.
Plot 98 shtete kanë premtuar të marrin refugjatë afganë, ndër to Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Polonia, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Kili Meksika, Katari, Ruanda dhe Uganda, por deri tani kjo është lista e shteteve kryesore dhe mënyra si ata po reagojnë ndaj krizës.
Shqipëria
Shqipëria ka premtuar se do të strehojë rreth 4.000 shtetas afganë deri sa ata të përfundojnë të gjithë kontrollet e sigurisë dhe dokumentacionet e nevojshme për t’u nisur në destinacionin final, SHBA.
Deri sot, 607 afganë kanë mbërritur në Shqipëri dhe janë strehuar në Qytetin e Studentit në Tiranë dhe Durrës.
Kosova
224 shtetas afganë kanë mbërritur në Kosovë deri tani. Kosova do të strehojë rreth 2 mijë shtetas afganë për 1 vit.
Maqedonia e Veriut
RMV – 149 shtetas afganë kanë mbërritur në aeroportin e Skopjes. Qeveria maqedonase ka deklaruar më herët se ka kapacitet për të strehuar përkohësisht deri në 780 persona, por nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut.
Bashkimi Evropian
Edhe pse shumë vende kanë premtuar se do të japin kontributin e tyre për të ndihmuar me refugjatët afganë, shumë zyrtarë nga shtete të ndryshme të BE janë shprehur se do të bëjnë çdo përpjekje për të mos përsëritur krizën e refugjatëve të vitit 2015.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar se Evropa duhet të “mbrojë vetën nga valët e konsiderueshme të refugjatëve të jashtëligjshme’ nga Afganistani.
Në të njëjtën kohë, edhe Greqia është shprehur se nuk do të “kthehet në një portë hyrëse për refugjatët afganë”.
Mbretëria e Bashkuar
Deri sot, Britania e madhe ka strehuar 17, 000 refugjatë afganë dhe ka premtuar se ata që kanë bashkëpunuar me forcat britanike gjatë 2 dekadave të fundit mund të aplikojnë të qëndruar përfundimisht.
Kanada
Kanadaja ka premtuar të strehojë 20,000 Afganë të evakuuar nga forcat amerikane. Deri tani, Kanadaja ka evakuuar rreth 3700 qytetarë nga Kabuli, prej tyre 2000 ishin Afganë që ndihmuan ushtarët dhe diplomatët kanadez, të shoqëruar me familjarët e tyre.
Australia
Australia ka premtuar të strehojë rreth 3,000 refugjatë afganë, përveç qytetarëve afganë që kanë bashkëpunuar me australianët gjatë 2 dekadave të fundit, të cilët mund të aplikojnë për vizë hyrëse.
Kryeministri Scott Morrison deklaroi se ky numër mund të rritet shumë shpejt, duke e quajtur një “minimum, jo një maksimum”.
Katari
Autoritetet në Katar janë shprehur se rreth 43,000 refugjatë afganë gjenden për momentin në transit në Katar.
Uganda
Avioni i parë mbërriti në aeroportin Entebbe më 25 gusht, me 51 të evakuuar. Uganda ka premtuar të strehojë rreth 2,000 refugjatë.
Ukraina
Autoritet ukrainase kanë deklaruar se deri tani rreth 100 qytetarë janë evakuuar nga Kabuli, përfshi aktivistë të të drejtave të njeriut, gra dhe fëmijë afganë. “Ata janë të sigurtë në Kiev. Po punojmë për evakuime të tjera,” është shprehur ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Pakistani dhe Irani
Së bashku Pakistani dhe Irani strehojnë rreth 1.4 milionë dhe 780,000 refugjatë afganë respektivisht – kjo shifër përfaqëson 84 % të rreth 2.6 milionë refugjatëve afganë që ndodhen në të gjithë botën.
Pakistani ka deklaruar se nuk do të marrë më asnjë refugjat afganë por kalimet e paligjshme të kufirit janë ende të pa dokumentuara. Mendohet se qindra mijëra afganë kanë kaluar kufirin ilegalisht.
Ndërkohë kampe janë ngritur në Iran për të pritur fluksin e refugjatëve, dhe ekspertët sugjerojnë se të paktën 7,000 refugjatë në ditë po kalojnë kufirin ilegalisht.
Turqia
Turqia – e cila strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë – është një vend transiti në të cilin janë drejtuar shumë refugjatë. Autoritetet turke nuk kanë qenë të hapura për të strehuar refugjatët afganë duke qenë se 117,000 refugjatë afganë ndodhen sot në Turqi, dhe 3.6 milionë të tjerë nga Siria.
Austria
Austria ka strehuar 89 refugjatë deri sot ama refuzon refugjatët, favorizon qendrat e dëbimit.
“Qëllimi duhet të jetë mbajtja e shumicës së njerëzve në rajon,” tha të mërkurën Ministri i Brendshëm austriak.