Adelinë Sahiti, gazetarja që po synon pozitën e asamblistes në Prishtinë

Fushata për zgjedhjet lokale ndonëse në rrethana të pandemisë tashmë ka filluar në të gjitha komunat e Kosovës.
Kandidatët për asamblistë nga të gjitha partitë kanë filluar të kërkojnë besimin e qytetarëve.
Njëra nga to është edhe gazetarja që për më shumë se 11 vite ka ushtruar këtë profesion, Adelinë Sahiti, e cila po synon pozitën e asamblistes në Prishtinë.

Sahiti e cila garon nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, për IndeksOnline ka treguar pse ka vendosur të lë gazetarinë e të rreshtohet në politikë.
” Për më shumë se 11 vite kam raportuar për tema nga ato sociale e politike. Tani vlerësoj se me bagazhin që kam, me arsimimin dhe përgatitjen profesionale ka ardhur koha të jem jo vetëm zëri i ankesave të qytetarëve por edhe pjesë e insitucioneve ku merren vendime në të mirë të tyre”, tha Sahiti.
Ajo ka treguar tutje se cilat kauza do t’i shtyej përpara në rast të zgjedhjes si asambliste në komunën e Prishtinës.
” Gratë, nënat, fëmijët. Këto kategori sociale meritojnë më shumë vëmendje në komunën e Prishtinës. Do të jem zëri i tyre e parreshtuar do kërkoj avancim të pozitës së gruas. Ajo është gjysma e shoqërisë dhe si e tillë meriton trajtim të dinjitetshëm për rëndësinë që ka. Poashtu përmes zërit tim në Kuvend komunal do të angazhohem për më shumë kopshte e arsim më cilësor”, tha ndër të tjera 32 vjeçarja Sahiti.
Sahiti është e martuar, nënën e dy fëmijëve dhe në këto zgjedhje garon me numrin 10 nga radhët e Lëvizjes për Bashkim që ka numrin 140.