Katër operacionet e suksesshme policore në veri

Në ora katër të mëngjesit u largua nga shtëpia, drejt punës.
Dhe më nuk u kthye.

Pjesëtari i Njësisë Speciale, Enver Zymberi, u vra nga një plumb i snajperit, më 26 korrik të vitit 2011.
Krejt ngjarja ndodhi në fshatin Zupç në Veri të Kosovës, derisa policia elitare po e zhbllokonte rrugën, të cilën e kishin bllokuar serbët e veriut.

Këta të fundit nuk donin të lejonin që forcat e rendit dhe doganat të vendosen në pikën kufitare në Jarinjë.
Rrugën deri te ajo, por edhe tek pika tjetër kufitare në Bërnjak, i bllokuan me zhavorr, dru e mjete të tjera.
Disa pengesa mbetën për pesë vjet, por ani se me pengesa e fillimisht me transport ajror nga KFOR-i, doganierët e policët kufitar e nisën punën.
Veçse tensionet në atë zonë, nuk pushuan.

Ishte Janarit të 2017-ës, kur një tren me udhëtarë e me ikonografi ortodokse, u nis nga Beogradi për të përuruar një linjën hekurudhore deri në veri të Mitrovicës.
Treni që ishte dhuratë nga shteti rus, e kishte të shkruar në 21 gjuhë të botës se “Kosova është Serbi”. Por, njësitë speciale të policisë së Kosovës dolën deri në kufi, e Serbia e ndalin trenin pa provuar të ecë tutje.
E po në këtë vit, në mars, ndodhi një tjetër aksion, po në Veri të Mitrovicës.

Këtë herë njësia speciale e policisë së Kosovës, gjatë një aksioni arrestoi Marko Gjuriqin, njeriun kryesor të Serbisë për Kosovën, i cili kishte hyrë pa leje.
Ai u prangos derisa ishte brenda një salle në një tubim me qytetarë.
Më pas u soll në Prishtinë, për tu intervistuar dhe liruar pak orë më vonë.
Operacion të madh e me arrestime pati edhe në maj të 2019-ës në këtë pjesë të vendit.

Nën dyshimin se kryen veprat penale krim i organizuar dhe kontrabandim i mallrave, u arrestuan 19 persona kryesisht pjesëtarë serbë të policisë.
Gjatë këtij aksioni, pesë policë u plagosën.
Edhe në këtë rast, serbët lokalë i kishin bllokuar rrugët me kamionë, për t’i liruar ditë më pas.