Serbët nxisin tensione/ Barrikada mbi urën e liqenit të Ujmanit pengon punën e Policisë së Kosovës

Mbrëmë në orët e vona, një grup i serbëve të veriut kanë vendosur një barrikadë të re më në brendi të territorit të Kosovës.
Barrikada është vendosur mbi liqenin e Ujmanit dhe kjo ia pamundëson lëvizjen e lirë të Policisë së Kosovës.
Ekipi i IndeksOnline ka arritur deri tek ura ku shihet se disa kamionë janë vendosur nga serbët mbi urë për të pamundësuar lëvizjen.

Ndërrimi i Policisë së Kosovës është bërë pak çaste më parë dhe burimet e IndeksOnline thonë se kishte vështirësi të mëdha pasi serbët ishin të tensionuar dhe e provokonin gjendjen.

Kjo është dita e katërt kur serbët e veriut kanë vendosur barrikada në Bërnjak e Jarinje në shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vendosur reciprocitet në targat e automjeteve.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të EULEX-it janë parë duke e monitoruar situatën në veri.

Ndërsa në një kodër afër Bërnjakut është vërejtur edhe një autoblindë e Policisë së Kosovës e cila po vazhdon çdo lëvizje që po bëhet në këtë zonë./IndeksOnline/
