75 Mall Live Search
13:45 / E Shtunë, 25 Shtator 2021 / B O

Vetëvendosje në Istog akuzon LDK-në: Kandidaten për asamble e prezantuan si mësuese, por emri i saj doli në listë pas vetëm 3 dite!

Lëvizja Vetëvendosje në Istog e ka akuzuar kandidatin e LDK-së, Ilir Feratin se po shfrytëzon pushtetin lokal në Istog për të rehatuar në punë militantët e saj.

Aktivistë të Lëvizjet Vetëvendosje në Istog kanë publikuar sipas tyre fakte që dëshmojnë se si kandidatja për asamble e LDK-së, Ardiana Haxhijaj është prezantuar si mësuese nga kandidati Ferati, ndërsa tre ditë më pas ajo është pranuar si mësuese në një konkurs publik.

Sipas Vetëvendosjes në Istog, nepotizmi që ka instaluar LDK-ja është i pashmangshëm dhe askush nuk mund të sigurojë një vend pune pa qenë i afërt me pushtetin dhe njerëzit e pushtetit në këtë komunë.

“Si u bë që me datën 5 shtator, të posadiplomuarën që e prezanton Ilir Ferati si kandidate për asamble dhe të njëjtës i referohet si mësuese. Në listën e publikuar pas 3 dite, e njëjta del se është pranuar si mësuese. Pra, një kandidate e lidhur me pushtetit, e afërt me komunarët atje prezantohet nga kandidati për kryetar i po kësaj partie si mësuese, ndërsa pas 3 ditësh zyrtarizohet si mësuese në Rakosh. Ky është nepotizmi në Istog i instaluar që shumë vite dhe që Ilir Ferati po e dëshmon që është vazhdimësi e këtij pushtetit me të cilin është rritur” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes në Istog.