75 Mall Live Search
20:29 / E Hënë, 27 Shtator 2021 / AR

Çka biseduan sot me Edi Ramën krerët e partive politike në Kosovë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot erdhi në Kosovë për herë të parë që kur mori mandatin e tretë. Për ta pritur atë, homologu i tij Albin Kurti organizoi ceremoni shtetërore.

Të dy kryeministrat zhvilluan një takim. Por se çka biseduan, ata treguan përmes një konference për media, shkruan Indeksonline.

Kurti ka njoftuar se janë pajtuar që në nëntor të ketë një mbledhje të radhës të përbashkët të dy qeverive.

Mandatet e dy Qeverive, në të Kosovës dhe Shqipërisë i kemi marr në një kohë të vështirë. Kosova i gëzohet progresit në Shqipëri. Qeveria e Kosovës dhe unë jemi në gatishmëri të plotë për çfarëdo ndihme Shqipërisë. Ne duhet ta rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Me Edi Ramën biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes. Në takimin e sotëm biseduam edhe për avansimin e gjitha marrëveshjeve që kemi, e që kemi mbi 150 marrëveshje. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. Mbledhja e përbashkët do të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjerash, Rama ka folur edhe për ndërhyrjen e policisë së Kosovës në veri të vendit. Ai e ka quajtur këtë vendim si legjitim dhe i ka dhënë Kosovës të drejtë.

Më vjen mirë të vizitoj Prishtinën pas asamblesë së OKB-së ku çështja e njohjes së Kosovës ishte përparësi e vizitës sonë në New York dhe mbetet përparësi edhe e Shqipërisë. Në radhë të parë Serbia duhet ta njoh këtë realitet të pakthyeshëm, ku duhet të na vije keq që në vend të përparimit jemi dëshmitar të manovrave ushtarake në kufirin e shtetit sovran të Kosovës. Ato nuk i ndihmojnë serbët në veri të Kosovës, ato janë disa gjeneralë të mundur në fushëbetejë 20 vjet më parë me arsyetimin se po mbrohen qytetaret serb në Kosovë. Serbët në Kosovë janë të mbrojtur, madje ju paguhen edhe faturat e rrymës nga kjo qeveri, si askund në botë”, ka thënë kryeministri Rama.

Pas takimit me Kurtin, Rama u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, i cili më pas u deklarua përmes një postimi.

Sot pata kënaqësinë të mirëpres në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i urova mandatin e tretë me radhë si udhëheqës i Qeverisë së Shqipërisë.Duke shprehur falënderimin për urimet e z. Rama me rastin e zgjedhjes time në krye të PDK-së, shpreha vullnetin tim dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë.PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për çfarë u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit aq të nevojshëm në mes nesh. Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët.Gjatë takimit biseduam për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.Kryeministrin Rama e falënderova për ftesën që më bëri për vizitë zyrtare në Tiranë, të cilët do ta realizoj që në momentin e parë të mundshëm”, shkroi Krasniqi.

Në agjendën e takimeve, nuk mungoi as ai me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. Ai mori edhe një ftesë nga kryeministri Edi Rama.

Sot, me bashkëpunëtorë, në selinë e LDK-së, prita në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam mbi relacionet e dy vendeve; situatën e krijuar në veri; si dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euro-atlantike. Kryeministrin Rama e falënderova për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme. Po ashtu, nga ai, mora ftesë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën do ta realizojë së shpejti. Raportet ndërshqiptare, janë bazamenti i suksesit tonë. Për këtë, unë dhe LDK jemi të përkushtuar pa hezitim”, ka njoftuar Abdixhiku.

Pas Abdixhikut, Rama u nis për në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku u prit nga kryetari Ramush Haradinaj.

Haradinaj kishte një kërkesë për kryeministrin e Shqipërisë. Kreu i AAK-së ia ka kërkuar Edi Ramës ndërtimin e hekurudhës Kosovë-Shqipëri.

May be an image of 2 people, people standing and outdoors

“RAMËS I KERKOVA HEKURUDHËN KOSOVË – SHQIPËRI

Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam çështjen e finalizimit të hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm, që lehtëson qarkullimin dhe lidh edhe më tepër vendet tona, i rëndësishëm për forcimin e sigurisë në rajon dhe integrimin në NATO.

Po ashtu, diskutuam për gjendjen e sigurisë në Kosovë me theks të veçantë në veriun e vendit.

Bashkëpunimi vëllezëror ndërmjet dy vendeve tona është jetik për zhvillimin e gjithëmbarshëm. Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë duhet të bëjnë të pamundurën që të heqin të gjitha barrierat që vështirësojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e posaçërisht në atë ekonomike” shkruan Haradinaj në njoftim.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj takoi Ramën me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në vend.

“Sot zhvillova një takim vëllazëror me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama të cilin e urova për mandatin e tretë në krye të Qeverisë së Shqipërisë.

Më kryeministrin Rama diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për  gjendjen e krijuar tash e tetë ditë në veri të vendit.

Është e domosdoshme që raportet tona si dy vende të ngriten në nivelin më të lartë të mundshëm.

Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat po kalon Kosova.

Poashtu, nga kryeministri Rama mora ftesë për një vizitë në Tiranë, të cilës do t’i përgjigjem pozitivisht me shumë kënaqësi”, njoftoi Limaj.

Në takim Edi Rama i shkoi edhe kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollit, i cili tha se vizita e kryeministrit shqiptar në këtë moment delikatë është shumë e nevojshme dhe Kosova duhet ta shfrytëzoj këtë për forcimin e lidhshmërisë, në cdo aspekt me Shqipërinë.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë pas formimit të qeverisë së re, pata nderin të pres Kryeministrin shqiptar, z. Edi Ramën me kolegë, me të cilin diskutuam mes tjerash edhe për situatën në veri të Kosovës. Vizita e Kryeministrit shqiptar, në këte moment delikatë është shumë e nevojshme dhe Kosova duhët të shfrytëzoj këte për forcimin e lidhëshmerisë, në çdo aspekt me Shqipërinë. E falënderova për vizitën dhe mbështetjen e tij për vendin tonë. Biseduam për nevojën e madhe të funkcionalizimit të të gjithë mekanizmave paqësor në mënyrë që të ç’tensionohet situata në veri dhe t’i hapet rrugë dialogut. Mesazhi i sotëm i Kryeministrit Rama ishte i qartë se Shqipëria fuqishëm qëndron në krah të Kosovës, në secilen variante që garanton zgjidhje të problemit duke mos rrezikuar jetrat e qytetarëve, që garanton lëvizjen e lirë dhe ruan integritetin territorial të vendit”, tha Pacolli.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë kësaj vizite njëditore nuk u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e as me kryeparlamentarin Glauk Konjufca./Indeksonline/