Lladrovci është krenar me heronjtë e ditëve tona, mantelbardhët!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se shëndetësia ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisjes së tij, me punë.
I pari i Drenasit i cili është sërish në garë edhe për një mandat nga PDK është krenarë me heronjtë e ditëve tona, mantelbardhët.
Në një status të gjatë në Facebook, Lladrovci ka treguar për punët që ai ka bërë në sektorin e shëndetësisë gjatë mandatit të tij:
Shëndetësia ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisjes time, me punë.
Në 18 muajt e fundit, jemi përballur me Pandeminë, është shkaktuar shumë dhimbje te për familjarët e personave që kanë humbur betejën nga virusi. Masat anti covid po zbatohen por, kishte dhe ka ende pasoja të shumta për shëndetin e qytetarëve, ekonominë dhe mirëqenien e përgjithshme.
Qeverisja më e mirë komunale në Kosovë, nuk do të arrihej pa kontributin e madh të heronjve të ditëve tona, matelbardhëve të cilët në dy vitet e fundit, në veçanti, e rikonfirmuan profesionalizmin, moralin e lartë njerëzor dhe etikën mjekësore.
Duke qenë se në garën elektorale po thuhen të pavërteta të mëdha e të paqëndrueshme rreth shëndetësisë parësore, dua ta ritheksoj punën e shkëlqyer të personelit shëndetësor, si kontribuues të performancës së përgjithshme komunale.
Për këtë punë të shkëlqyer, dua të falënderoj mjekët, infermierët, stafin teknik, administratën dhe drejtuesit e Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Është për keqardhje për paraqitjen mosmirënjohëse nga disa individ ndaj punës dhe përkushtimit të personelit shëndetësor të komunës tonë.
Kujdesi Parësor Shëndetësor respekton të gjithë legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira duke ofruar performancë cilësore.
Më poshtë po paraqes disa të dhëna që e konfirmojnë punën e shkëlqyer të personelit shëndetësor.
Vizitat dhe shërbimet mjekësore ne QKMF dhe njësitë organizative:
Në bazë të të dhënave, vëllimit të punës vetëm në periudhën Janar – Qershor janë evidentuar 141.977 shërbime mjekësore dhe 77.384 vizita të ofruara mjekësore e që në total vizita dhe shërbime janë 219.362. Prej tyre, 64.86 % e vizitave mjekësore janë realizuar ne QKMF Drenas, 32.074 % në QMF Komoran, 1.48 % QMF Arllat, 0.23 % QMF Terstenik, 1% QMF Gllanasellë, 0.2% AMF Baicë/Terdec, 0.21% AMF Dobroshec, 0.038 % AMF Nekoc dhe 0.027% AMF Gradicë.
Në këtë kohë, kanë funksionuar edhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare, përjashtimisht vështirësive në Sankoc, Poklek-Vasilevë, dhe Abri.
Në këtë gjashtë mujor, gjendjen në shëndetësi e ka përcjellë Pandemia, dhe largimi i 22 doktorëve në specializim, për një periudhë kohore (3-4 muaj) kemi pasur vetëm 14 doktorë dhe paralelisht kemi shpallur tri (3) konkurse publike sipas Ligjit për Zyrtar Publik, janë pranuar 21 doktorë.
Qasja në shërbime shëndetësore gjatë kësaj periudhe, është organizuar sipas rekomandimeve të IKSHP dhe Shtabit Operativ të Komunës së Drenasit në mbikëqyrje të DSHMS.
Ofrimi i shërbimeve shëndetësore 24 orë, ofrohet në QKMF Drenas dhe QMF Komoran. Ky orar ka lehtësuar qasjen e pacientëve në kohë pandemie.
Në mjekësinë parësore janë të punësuar 175 persona, ndërsa struktura e të punësuarve është si vijon:
Doktor të Mjekësisë, 19
Doktor specializantë, Mjekësi Familjare, 5
Doktor Specialistë, Mjekësi familjare, 8
Dr. Spec, Konsulentë (2 gjinekolog, 2 pediatër, 1 dermatolog, 1 radiolog dhe 1 biokimist), 7
Doktor në specializim jo përkatëse, 4
Stomatologë, 3
Magjistër i farmacisë, 1
Infermierë, 99
Administrata, 8
Punëtorë teknik e shërbyes, 16
Shoferë, 5.
Përkundër nevojave për staf të Mjekësisë Familjare dhe profilet e caktuara, nuk kemi mundësi ta plotësojmë për shkak të mungesës së kuadrit.
Mjekësia parësore rekruton dhe angazhon staf në pajtim me ligjin e jo sipas premtimeve të parealizueshme dhe dëshirat elektorale.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale vepron në pajtim me Planin Komunal për Zhvillimin Institucional të Kujdesit Parësor Shëndetësor, 2020-2024, si ndër komunat e rralla në vend me këtë plan. Bazuar në Strategjinë sektoriale shëndetësore ekzistuese, plani është realizuar pothuaj një vit para kohe.
Kërkesat për furnizim me barnat dhe materialin shpenzues nga Lista esenciale, kanë qenë të rregullta dhe të vazhdueshme. Nga Buxheti i komunës për blerje emergjente, janë shpenzuar rreth 10.000 euro, si dhe është kontraktuar kompania për furnizime emergjente (vlera Kontratës trevjeçare është 65.977,50 €).
Shpreh edhe një herë respektin tim të plotë për punën, përkushtimin dhe etikën mjekësore gjatë tërë angazhimit, në veçanti gjatë pandemisë.
Nderim për punën Tuaj mantelbardhë!