75 Mall Live Search
21:52 / E Enjte, 30 Shtator 2021 / OSH

Ahmeti për vendimin e Qeverisë për gazin: Ka pasoja gjeopolitike dhe gjeostrategjike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot në një konferencë për media tha se kanë nevojë për më shumë informata për të qenë më të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik të Kosovës.

Me këtë bëri me dije se Kosova e ka refuzuar projektin për gazpërçuesin amerikan, transmeton Indeksonline.

Në lidhje me këtë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se është një vendim që do të ketë pasoja.

Postimi i plotë i Shpend Ahmeti:

Vendimi për gazin ka pasoja gjeostrategjike e gjeopolitike për Kosovën.  Asnjë qeveri nuk e ka mandatin që të marr vendime të tilla pa diskutime të gjëra.  Arsyet mund të jenë mungesa e përvojes apo edhe të qëllimshme.  Të dyjat janë brengosëse.

Nqs dikush mendon se ShBA ka ndonjë profit financiar prej shitjes se gazit në Kosovë e ka gabim.  Mirëpo sferat e interesit që ndërlidhen me gazin janë fuqi gjysëm e butë.  Gazi ka implikime të jashtëzakonshme politike për shkak të varësise energjetike nga Rusia.  Prandaj ShBA na drejtojnë edhe në rreshtime.  Nuk është as fillimi as fundi i botës ky projekt.  Por është hap me rëndësi.

Kosova ka edhe një interes të vetin.  Diversifikimi i burimeve të energjisë na zvogëlon edhe neve varësinë nga Serbia.   Dështimi i termocentralit bashkë me dështimin e gazit na çon kah energjia nga Serbia ose përmes Serbise.  Po të ishte duke u ndërtuar termocentrali i ri ndoshta edhe do të ishte diskutim kjo çështje.

Vëllau shumë më i madh të jep mbrojtje e shtytje kur ke nevojë.  Në raste të ralla vëllau i vogël ka mundësinë që të bëj diçka që ka sadopak ndikim për vëllaun e madh.

Kujdes, një shuplakë eventuale për qeverinë, ka me na dhimt të gjithëve. Axhamillëku nuk është arsyetim, e lëvizja e qëllimshme nuk ka arsyetim.  Megalomania të shtyn drejtë gabimeve të pafalshme.  E në ato momente sigurisht se çifti i Lajçakut nuk na shpëton as nga Serbia e lere më nga shtetet e mëdha kundërshtare të shtetit tonë.

/Indeksonline/