Kurti javën e ardhshme në samitin në Slloveni, do të tentohet arritja e disa marrëveshje rajonale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme do të marrë pjesë në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Slloveni.
Megjithëse në samitin e fundit në Berlin nuk u arrit asnjë marrëveshje, kësaj radhe edhe pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rajon do të tentohet sërish të nënshkruhet dakordimi i gjashtë shteteve rajonale për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave. Nga Qeveria e Kosovës thonë se në samitin e 6 tetorit do të mbështesin bashkëpunimin rajonal vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa opozita dhe shoqëria civile kërkojnë përfaqësim të barabartë të Kosovës në nismat rajonale.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë, se ekzekutivi veçse ka shprehur gatishmërinë për arritjen e dy marrëveshjeve, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese.
“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kësaj radhe do të mbahet në Slloveni. Në mbështesim bashkëpunim rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Tashmë kemi shprehur gatishmërinë tonë për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese dhe qytetarëve të saj”, thotë ai.