75 Mall Live Search
15:25 / E Mërkurë, 06 Tetor 2021 / LB

Haziri: Do t’i rekomandojmë Qeverisë heqjen e orës policore dhe të maskave për të vaksinuarit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë me dije se Gjilani po vazhdon të shënojë ulje të rasteve aktive me Covid-19 dhe aktualisht në vet-izolim janë 43 raste, 10 persona janë të shtrirë në spital, 3 prej tyre të konfirmuar me infeksion, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

“Ajo që është lajm i mirë, në Gjilan po vazhdon vaksinimi dhe deri sot kemi mbërritur në 76 mijë e 118 të vaksinuar. Ju bëjë apel qytetarëve që të vazhdojnë me vaksinim, pasi kështu arrihet imunizimi kolektiv dhe mbrojtje më e mirë nga virusi”, ka thënë Haziri, pas takimit me Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ai ka falënderuar edhe subjektet politike, të cilat përkundër fushatës zgjedhore, kanë zbatuar rekomandimet e IKSHP-së dhe në asnjë rast nuk është vërejtur shkelja e rregullave të pandemisë.

Haziri ka rikonfirmuar gatishmërinë e Komunës së Gjilanit për të marrë përsipër imunizimin e qytetarëve kundër virusit COVID-19, duke kërkuar që ky proces të decentralizohet dhe nga salla e sporteve të bartet në QKMF, ku ekziston njësia e vaksinimit.