75 Mall Live Search
21:31 / E Enjte, 14 Tetor 2021 / OSH

Gani Dreshaj bën publik qëndrimin e tij për zgjedhjet në Istog

Gani Dreshaj njihet për qëndrimet e tij direkte dhe të guximshme. Këtë e ka bërë edhe kësaj radhe. Politikani dhe biznesmeni i njohur ka bërë publik qëndrimin e tij për zgjedhjet në Istog. Dreshaj ka thënë se është për ndryshim duke vargisur disa arsye se pse është i domosdoshëm ndryshimi në Istog.

“Të dashur qytetarë të Istogut

Ka disa ditë që po qëndroj në Gjermani për shkak të disa komplikimeve të lehta shëndetësore. Pavarësishtë gjendjes shëndetësore, unë do të jem të dielën në Kosovë. Do të vij që të votoj për ndryshimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm në Istog.

Lutja ime publike për të gjithë qytetarët e Istogut është që të votojnë për ndryshim.

Të gjithë ju që më njihni, e dini se bindjet e mia politike janë tërësisht personale dhe nuk varen nga bindjet e asnjë partie.

E respektoj në masë të madhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për traditë dhe historinë që ka, e që lidhet me ish presidentin historik, Ibrahim Rugova. E shoh si parti të fuqishme edhe në të ardhmen, nëse i kërkojnë falje dy zonjave të fuqishme Vjosa Osmani e Donika Gërvalla dhe ato kthehen në partinë ku dhanë shumë.

LDK në Istog nuk përfaqëson asgjë më shumë se sa një grup të ngusht interesi të lidhur direkt me korrupsionin, nepotizmin dhe interesat personale të disa personave që zhvasin buxhetin komunal dhe në kurriz të taksapaguesve shtojnë pasurinë e tyre nga viti në vit.

Siç e dini, nuk kam pranuar të jem pjesë e asnjë partie politike në fushatë dhe nuk kam qëllim të dëmtojë askënd. Por, jam thellë i bindur që vota për ndryshim në Istog është votë për të mirën e istogasve, është votë për shpresë, është votë për mirëqenie, është votë për të ardhmen e juaj.

Numri i aferave korruptive në komunën e Istogut ka qenë i lartë në publik dhe po që hetohet më thellë nga organet e drejtësisë, aferat do të shumëfishohen.

Administrata për fat të keq ka vite që është në gjendje të mjerueshme, tenderomania është fenomen i njohur, kadastra është e skandalizuar, subvencionet në bujqësi janë të keqpërdorura, të punësuarit dhe të graduarit janë njerëz të partisë dhe të afërt me partinë, dhe fjala keqpërdorim zë vend në secilën fushë të udhëheqjes lokale në Istog.

Ilir Feratin nuk e njoh shumë dhe nuk dua ta kritikoj për gjërat që s’i di. Mendoj që ata që e kanë përkrahur kandidaturën e tij në këtë moment nuk ia duan të mirën, sepse ai po tenton që si kandidat i LDK-së në Istog të mbuloj dhe të fshehë të kqijat 20 vjeçare të paraardhësve të tij.

Dhe aq më keq, që shokun e babait të tij, kryetarin e degës së LDK-së në Istog, Haki Rugovën nuk po e njeh fare në fushatë, duke dashur t’i marr meritat e punës që i ka bërë dhe duke mos dashur t’i marrë “haramet” e tij.

E kam thënë edhe kur e kisha rival në garë, e them edhe sot, profa Haki Rugova është më i miri dhe më i respektuari nga LDK e Istogut!

Të dashur qytetarë, po ju drejtohem si një qytetar dhe taksapagues i atij vendi. Mos u frikësoni nga asnjë kërcënim e shantazh politik, votoni për ndryshim sepse në mendjet dhe zemrat e juaja e dini secili nga ju që Istogu ka nevojë për ndryshim.

Unë flas çfarë me thotë zemra e çfarë shoh me sy, flas shlirë dhe mundohem të jem real sepse e përsëris që me paratë e buxhetit të shtetit kurrë askujt një kafe nuk ua kam pi. Istogut dhe Kosovës gjithmonë jam munduar t’i jap dhe do t’i jap edhe në të ardhmen.

Dhe do të jem po ky i njëjti që secilës qeverisje tjetër lokale në Istog do t’i vë kthetrat e kritikës për secilën punë të keqe dhe lëvdatat për secilën punë të mirë që do e bëjnë në të ardhmen.

Dhe do të jem ai që do e përkrahu edhe secilin kandidat të LDK-së në Istog, kur kjo parti të reformohet në palcë dhe rrjepësit e plaçkitësit t’i largojë nga trungu i saj.

E dini secili nga ju se shumë prindër në Istog kanë mbetur të vetmuar në shtëpi dhe se fëmijët e tyre në mungesë shprese kanë marrë rrugën e mërgimit. Dhe ndihem edhe më keq kur shumë nga kërkesat e prindërve në Istog kërkesën e parë ndaj meje e kanë që të jem një shpresë për ta që fëmijët e tyre të sigurojnë një vizë pune për të marrë rrugën e gyrbetit. Kjo është humbja e shpresës për rininë e Istogut, e që për fat të keq është shëndrruar si fenomen edhe në nivel vendi.

Andaj, istogas të urtë e të dijshëm, votoni për ndryshim sepse ndryshimi jeni ju, sepse nuk po garantoj që është më mirë, por asesi nuk do të jetë më keq për neve dhe juve” shkruan Dreshaj në postim.