75 Mall Live Search
21:05 / E Enjte, 21 Tetor 2021 / MSH

OBSh: COVID mund të ketë vrarë rreth 180 mijë punonjës shëndetësorë; kriza po thellohet

Covid ka prekur rëndë stafin e kujdesit shëndetësor dhe mund të ketë vrarë deri në 180 mijë të tillë, thotë Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

Punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të kenë përparësi për të marrë vaksinat, tha kreu i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke kritikuar padrejtësinë në shpërndarjen e vaksinave, shkruan BBC.

Vdekjet e punonjësve shëndetësorë në mbarë globin ndodhën midis janarit 2020 dhe majit të këtij viti.

Më parë, një zyrtar tjetër i lartë i OBSh-së kishte paralajmëruar se mungesa e vaksinave mund të bënte që pandemia të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

“Të dhënat nga 119 vende sugjerojnë se mesatarisht, dy në pesë punonjës të kujdesit shëndetësor globalisht janë plotësisht të vaksinuar,” tha Ghebreyesus.

“Por sigurisht, kjo mesatare maskon dallime të mëdha midis rajoneve dhe grupimeve ekonomike”, shtoi ai.

Sipas tij, më pak se një në 10 punonjës të kujdesit shëndetësor ishin të vaksinuar plotësisht në Afrikë, krahasuar me tetë në 10 në vendet me të ardhura të larta.

Një dështim për të siguruar mjaftueshëm vaksina në vendet më të varfra, u theksua më herët nga Bruce Aylëard, udhëheqës i lartë në OBSH, i cili tha se kjo do të thoshte se kriza nga COVID-19 mund të zvarritet lehtësisht deri më 2022.

Më pak se 5% e popullsisë së Afrikës janë vaksinuar, krahasuar me 40% në shumicën e kontinenteve të tjera.

Pjesa dërrmuese e vaksinave anti-COVID, në përgjithësi, janë përdorur në vendet me të ardhura të larta ose me të ardhura të mesme. 

Afrika përbën vetëm 2.6% të dozave të administruara globalisht.