Lulzim Basha për Vettingun: Nuk do na ndalë askush

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur sot se nismën e Partisë Demokratike për Vettingun në politikë nuk do ta ndalë askush. Në fjalën e tij në Kuvend, Basha u shpreh se Vettingu do të pastrojë politikën dhe do t’i japë fund tranzicionit.
Sipas tij ata që do të largohen nga Kuvendi pas Vettingut nuk do t’i mungojnë politikës, por do t’i bëjnë mirë me largimin e tyre.
“Vettingu i politikanëve është edhe një nga mjetet që mund të adresojë më së miri prodhuesin e renditjeve që prezantova pak më parë, nëpërmjet pastrimit të politikës nga të korruptuarit dhe të lidhurit me krimin. Pastrimin e politikës nga të gjithë ata që kanë abuzuar dhe abuzojnë me fuqinë që u është besuar për përfitime personale, duke braktisur interesin e qytetarëve, duke u kthyer ne pengesë të mirëqeverisjes dhe prodhues krizash që i shërbejnë vetëm një grushti të vogël njerëzish, që përfitojnë nga korrupsioni dhe mungesa e besimit që ai ngjall te aftësia dhe forca e njerëzve për të ndryshuar rendin e gjërave”, ka thënë Basha.
Ai gjithashtu ka thënë se ata që e kundershtojnë Vettingun janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin, por që kjo nuk do t’u pengojë atyre për t’a shtyrë përpara këtë çeshtje.
“Ne e kemi hedhur hapin e parë. Jam i bindur që debati nuk do të mungojë. Jam po ashtu i bindur që kundërshtarët e egër të këtij propozimi janë ata që rrezikojnë qëndrimin në këtë sallë, apo në çdo karrige tjetër që mbajnë në emër të qytetarëve, për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me krimin. Por kjo nuk do të na pengojë. Nuk do të na pengojnë as ata që opozitën e opozitës e kanë sport kombëtar, të cilët, pasi për tre dekada kanë lëshuar romuze kundër politikanëve, nëpër kafe apo emisione, e sot kanë zhvilluar empati dhe dhembshuri për politikanët që do të kalojnë sitën e vettingut”, ka shtuar Basha.
I par i Partisë Demokratike e ka konsideruar këtë çeshtje si emergjencë kombëtare që ka nevojë të zgjidhet.
Kjo është një emergjencë kombëtare, një gjendje e jashtëzakoshme që kërkon mjete të jashtëzakoshme për zgjidhjen e saj. Ndaj i takon anëtarëve të këtij Parlamenti të mbajnë një qëndrim mbi atë që shqiptarët duan dhe presin për të pasur një të ardhme më të mirë, e për t’i dhënë fund një tranzicioni të tejzgjatur”, ka përfunduar Basha.
Nga Vettingu në Gjykata, këtë vit janë larguar nga puna 139 gjyqtarë e prokurorë për shkak të përfshirjes së tyre në krim.