Aksion i aktivistëve feministe/ Të irriturara për rastin e djeshëm të dënimit 8 muajsh për dhunimin e një 15 vjeçare

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar aksion simbolik në kundërshtim të dënimit të ulët për përdhunimin e15 vjeçares.
I dyshuari u dënua dje me 8 muaj e 8 ditë për këtë vepër penale, shkruan IndeksOnline.
Dhjetra gra para Gjykatës u mbledhën për ta kundërshtuar këtë vendim.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Pejë mori vendim për dënim prej 8 muaj e 8 ditësh për një burrë i cili 10 vite më parë e kishte rrëmbyer duke e kanosur me thikë, e kishte mbajtur në një shtëpi kundërligjshëm dhe e kishte dhunuar seksualisht në grup, një vajzë 15 vjeçare. Ky vendim, përveç se i vonuar dhe jo legjitim, është thellësisht seksist dhe si i tillë vazhdon ta normalizojë e amnistojë dhunën ndaj vajzave e grave.
Dhunimi seksual si vepër kriminale është i dënueshëm sipas Kodit Penal i cili sanksionon dënim prej 5 deri në 20 vite burgim. Gjykata nuk kishte gjetur as edhe një rrethanë rënduese edhe pse i akuzuari e kishte rrëmbyer dhe e kishte mbajtur kundërligjshëm vajzën e mitur. Gjykata mori vendim mes tjerash duke konsideruar si rrethanë lehtësuese se i akuzuari kishte shprehur keqardhje, se viktima gjatë aktit nuk kishte pësuar lëndime, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.
Këto institucione te cilat po i dhunojnë vajzat e gratë, duhet të kundërshtohen fuqishëm nga të gjitha/ë ne. Ne do të kërkojmë llogari nga secili/a prej zyrtarëve publikë përgjegjës për nxjerrjen e këtij vendimi. Ne nuk do të tolerojmë që dhuna ndaj vajzave e grave të ushqehet, normalizohet e amnistohet nga institucionet.

Dhuna e shumëfishtë që vajzat e gratë e përjetojnë në të gjitha hapësirat dhe sferat e organizimit privat e publik në Kosovë, duhet trajtuar drejtë dhe me urgjencë. Andaj, të shqetësuara dhe të revoltuara, ne mblidhemi sot në ora 14:00, pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të vazhduar tek Këshilli Prokurorial i Kosovës, ku do të kundërshtojmë këtë vendim dhe dështimin shtetëror për te mbrojtur te drejtat themelore te vajzave dhe grave në Kosovë.
