75 Mall Live Search
16:14 / E Premte, 29 Tetor 2021 / MSH

Presidentja Osmani takohet me portugezët që shërbyen në luftën në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ministrin e brendshëm Eduardo Cabrita dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.

Këtë vizitë, Osmani e ka bërë sot, në ditën e dytë të qendrimit të saj në Portugali.

“Presidentja Osmani ka falënderuar ata për kontributin e dhënë, duke çmuar lart rolin e Portugalisë në angazhimin në Kosovë që nga viti 1999”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Presidentes.

Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, duke u angazhuar për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi.

Presidentja gjithashtu ka theksuar se Policia e Kosovës, në nivel ballkanik, e ka besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar nga ministri Cabrita të shkëmbehen përvojat, në mënyrë që Policia e Kosovës të përfitojë nga ajo portugeze.

“Në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e orientuar qartë në rrugën e saj evropiane dhe se synim primar mbetet anëtarësimi në BE, NATO, INTERPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet tutje në komunikatë, duke shtuar se Presidentja e ka falendëruar Portugalinë në të qenurit zë i fuqishëm në përkrahjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gjatë ditës së djeshme, Presidentja mori pjesë edhe në Samitin Global të Grave, ku mbajti fjalim.