Kilaj-Kastratit: Ekrem dil, e ballafaqohu! Nuk na ka hije as si ish-luftëtarë të ikim nga debati

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Malishevës, Isni Kilaj, përmes një deklaratë publike, i ka bërë ftesë kundërkandidatit të tij, Ekrem Kastratit, për t’u ballafaquar në debat publik.
Këto deklarata, Kilaj i ka bërë pasi kundërkandidati i tij nga radhët e NISMA-s ka refuzuar të dalë përballë tij në një nga debatet televizive për Malishevën.
“Ikja nga debatet televizive nuk është zgjidhje, është dezertim, është ikje nga përgjegjësia që kemi si kandidatë. Prandaj ftoj edhe një herë kundër kandidatin tim nga NISMA në debat, para qytetarëve në sheshin e qytetit para të gjithëve, mediave e shoqërise civile, të flasim për programet e për projektet”, ka shkruar Kilaj në Facebook.
Kilaj ka shtuar se kjo mos paraqitje në debat nuk i ka hije asnjërit, së pari si ish-luftëtarë, e së dyti, për shkak se dita e zgjedhjeve është afër.
“Ekrem dil, e ballafaqohu! Nuk na ka hije as si ish-luftëtarë të ikim nga debati, nuk na ka mësuar kështu lufta. Sepse 14 Nëntori është afër, e atë ditë qytetarët do të flasin masivisht”, ka shtuar Kilaj.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Të dashur Malishevas,
Të nderuara media e shoqëri civile,
Që nga muaji shtator kur kemi filluar me debate të ndryshme televizive për zgjedhjet lokale, jam munduar që të jem zëri i bashkëvendësve të mi të Malishevës.
Në gjitha debatet televizive ku jam përballur më gjithë kandidatët, jam munduar t’i ofroj argumentet për secilin fakt nga keqqeverisja 8 vjeçare.
Jam munduar të mos mirrem me të kaluarën dhe të ofroj program e projekte konkrete për zgjidhjen e probleme bazike për të gjithë pa dallim partie apo rajoni, duke ofruar një qeverisje transparente, të hapur e afër qytetarëve.
Mirëpo vullneti im është që këto projekte dhe këtë program ta sfidoj me projekte të kundërkandidatit tim për t’i dhënë qytetarit mundësinë e zgjedhjes. Por ky vullnet i imi dhe kërkesa e qytetarëve për debat nuk po reflektohet nga kundërkandidati i NISMËS.
Ikja nga debatet televizive nuk është zgjidhje, është dezertim, është ikje nga përgjegjësia që kemi si kandidatë. Prandaj ftoj edhe një herë kundër kandidatin tim nga NISMA në debat, para qytetarëve në sheshin e qytetit para të gjithëve, mediave e shoqërise civile, të flqsim për programet e për projektet. Të flasim për korrupsionin, për drejtësinë e barazinë, që ky qytet e meriton, e që fatkeqësisht për këto 8 vite ka bërë krejt të kundërtën e saj duke instaluar nepotizmin, korrupsionin dhe pabarazinë.
Ekrem dil, e ballafaqohu! Nuk na ka hije as si ish-luftëtarë të ikim nga debati, nuk na ka mësuar kështu lufta.
Sepse 14 Nëntori është afër, e atë ditë qytetarët do të flasin masivisht.
Kilaj dhe Kastrati kandidojnë në balotazhin për Malishevën, pasi ky i pari mori 29.07% të votave, ndërsa kandidati i NISMA-s mori 34.30%.