Presidenca reagon ndaj deklarimeve të Vulinit

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosvës, Vjosa Osmanit, ka reaguar pas thumbimit të ministrit të Brendshëm të Seribsë, Aleksandar Vulin.
Ky i fundit i kishte quajtur gënjeshtra deklaratat e Presidentes Osmani mbi dërgimin e vaksinave në vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme në këmbim të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Serbia dërgoi teste për koronavirus në Prishtinë, ndaj nuk kushtëzoi me asgjë, ashtu siç i dha Prishtinës kalim të papenguar të vaksinave dhe pajisjeve mjekësore, pavarësisht se dokumentet doganore ishin jo të plota dhe të pasakta. Mijëra shqiptarë, të cilët për shkak të paaftësisë dhe mosinteresimit të pushtetarëve në Prishtinë nuk mundën të vaksinohen, erdhën në Bunajoc, Preshevë, Vranjë dhe morën vaksina falas. Duhet të keni barkun si Vjosa Osmani, që të gëlltisni dhe të thoni një gënjeshtër kaq të madhe për Serbinë”, kishte thënë Vulin si kundërpërgjigje ndaj Vjosa Osmanit.
E, në emër të Presidencës, Blerim Vela ka thënë se Vulin është duke joshur vendet e huaja me genjeshtra dhe gjuhë të urrejtjes.
“Vulin vazhdon të gënjejë duke përdorur gjuhë të urrejtjes. Serbia joshi vendet në Afrikë dhe Lindje të Mesme me donacione të vaksinave që të mos e njohin Kosovën”, ka shkruar Vela në rrjetin social Twitter.
Këtij shkrimi ai i ka bashkëngjitur edhe një lidhje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, në të cilën flitet për një donacion prej 40 mijë vaksinash në Ugandë, si dhe falendërim nga ana e Serbisë për mbështetje të integritetit territorial të Serbisë nga ana e Ugandës.