75 Mall Live Search
07:51 / E Hënë, 22 Nëntor 2021 / MSH

Wisconsin, ShBA: Pesë të vdekur pas përplasjes së veturës në paradë

Pesë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur pasi një veturë hyri në një paradë në Wisconsin në ShBA.

Pamjet e postuara në internet tregojnë një makinë të kuqe SUV, duke kaluar nëpër një paradë të Krishtlindjeve në qytetin Waukesha rreth orës 16:40, raporton BBC.

Sipas shefit të policisë atje, Dan Thompson, vetura ka goditur dhjetëra njerëz, përfshirë dhe fëmijë, ndërkaq incidenti është duke u konsideruar si akt terrorist.

Një person është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim.

Ndërkaq, sipas policisë, i dyshuari kishte ikur nga një tjetër skenë kur u përplas me disa nga të pranishmit në paradë.

Sipas dëshmitarëve, vozitësi i makinës sa shkonte e zmadhonte shpejtësinë përgjatë rrugës ku po zhvillohej parada, transmeton Indeksonline.

Policia është dashur të qëllojë në drejtim të makinës në tentim për ta ndalur vozitësin.

Sipas shefit të zjarrfikësve në Waukesha, vetëm nga zjarrfikësit janë dërguar 11 të rritur dhe 12 fëmijë në spital për shkak të lëndimeve.

Në qytetin e Waukeshas nuk do të mbahet mësimi në shkolla sot, për shkak të këtij incidenti.