75 Mall Live Search
11:10 / E Hënë, 22 Nëntor 2021 / MSH

Talebanët shtrengojnë shtetin afgan, urdhërojnë gazetaret të vënë mbulesë

Grave u është ndaluar paraqitja në drama televizive në Afganistan pas ardhjes së Talebanëve në pushtet.

Në të njëjtën kohë, gazetareve dhe prezantuesve u është urdhëruar mbajtja e shamisë, ndonëse nuk specifikohet se ç’lloj mbulimi të përdoret, raporton BBC.

Ky nuk është kufizimi i parë që bëhet ndaj grave dhe vajzave nga ana e talebanëve. Me të marrë pushtetin në tokën afgane, ata kishin urdhëruar vajzat në ndalimin e vijimit të shkollës dhe qëndrimin në shtëpi.

Krahas këtyre vendimeve, talebanët kanë publikuar edhe një udhëzues për kanalet televizive afgane, me gjithsej tetë rregulla.

Ato përfshijnë ndalimin e filmave që konsiderohen kundër parimeve të ligjit të Sheriatit – ose islamit dhe vlerave afgane, ndërsa filmimet e burrave që ekspozojnë pjesët intime të trupit janë të ndaluara.

Shfaqjet komedi dhe argëtuese që ofendojnë fenë ose mund të konsiderohen fyese për afganët janë gjithashtu të ndaluara.

Talebanët kanë këmbëngulur që filmat e huaj që promovojnë vlera të huaja kulturore nuk duhet të transmetohen.

Këto vendime, për punonjësit në mediat afgane ishin tëjet të papritura.

Sipas Hujjatullah Mujaddedi,  përfaqësues i gazetarëve në Afganistan, disa prej këtyre rregullave nuk janë praktike për mediat dhe se nëse zbatohen plotësisht, transmetuesit mund të detyrohen të mbyllin televizionet.