75 Mall Live Search
18:58 / E Hënë, 22 Nëntor 2021 / AR

“Këpucë 800 euro dhuratë”, Special One mban premtimin, gëzon talentin që paguhet vetëm 3 mijë euro në muaj

Ka një dyqan në zemër të Romës, pak hapa larg Piazza Spagna, i cili është ndër destinacionet e preferuara të lojtarëve. Të Romës por edhe të Lacios. Një dyqan jo realisht i aksesueshëm për të gjithë (por shpesh shumë i preferuar nga turistët) ku një palë këpucë mund të kushtojnë deri në 800 euro. Por edhe më shumë. Janë një palë atlete, me sa duket të ngjashme me shumë modele të tjera që shihen rreth këmbëve të shumë djemve.

Veçantia? Ato prodhohen nga Balenciaga, një shtëpi e modës me bazë në Paris e themeluar në vitin 1917 nga stilisti spanjoll Cristóbal Balenciaga. Faturimi (që nga viti 2019) 1 miliard euro, dhe markë e njohur në të gjithë botën. Felix Afena-Gyan ra në dashuri me këto këpucë (atletet Triple S) dhe tani Mourinho ia ka dhuruar: “Urime, i meriton. Por tani duam të shohim se si i përshtaten”, tha Special One në videon e xhiruar dhe tashmë në rrjetet sociale.

Pasi i pa, Felix përqafoi menjëherë trajnerin e tij, falënderues për dhuratën, më pas performoi edhe një balet para syve të trajnerit.

Ishte Special One mbrëmë, pas-ndeshjes Genoa-Roma, ai që zbuloi anekdotën: “I kam premtuar se nëse do të bënte ndeshje të mirë do t’i kisha dhënë këpucë që kushtojnë 800 euro. Dhe nesër do t’i blej këpucët”.

Përveç një gare të mirë, Felix i dha Romës fitoren me një dygolësh fantastik që solli suksesin për verdhekuqte, që mungonte ne Serie A nga 27 tetori.

18-vjeçari ganez ka marrë këpucët nga Mourinho dhe video e takimit me Mourinhon tashmë po bën xhiron në internet. Kontrata e sulmuesit është “vetëm” afër 70 mije euro bruto në sezon (gati 40 mije euro neto): një kontratë e nënshkruar më pak se një vit më parë si një lojtar i ri nga Primavera, e cila ka shpërthyer javët e fundit falë punës së palodhur që e bëri Mourinhon ta thërriste atë në ekipin e parë.

Dhe ai tashmë është një djalë që thyen rekord. Felix Afena në fakt është bërë lojtari i parë i lindur pas 1/1/2003 që ka shënuar gol në Serie A, por jo vetëm: në moshën 18 vjeç e 306 ditë ai është lojtari i tretë më i ri i huaj në historinë e Serisë A duke shënuar të paktën 2 gola në një ndeshje të vetme, pas Valeri Bojinov (17 vjeç, 337 ditë) dhe Alexandre Pato (18 vjeç, 147 ditë). Me pak fjalë, një dhuratë më se e merituar…