EULEX-i organizon diskutim me temë “Kërkoni të drejtën tuaj të pronës!”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, Drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, dhe Këshilltari i Lartë Ligjor i CLARD Anton Nrecaj u bënë bashkë për ta diskutuar lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje gjatë një ngjarjeje të organizuar sot në Prishtinë nga EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci.
Pjesëmarrësit u pajtuan se mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe të drejtat ekonomike në përgjithësi, po promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra mund të mendojnë se nuk kanë alternativë tjetër përveç qëndrimit në marrëdhënie keqtrajtuese dhe të dhunshme.
“Të diskutosh për të drejtën pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushte themelore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen edhe të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutime të tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final”, tha Presidentja e Kosovës.
“Këto diskutime fuqizojnë tutje përpjekjet tona për luftim të dhunës ndaj vajzave dhe grave, duke e sqaruar njëherë e përgjithmonë se nuk mund të tolerohet tutje që e drejta për trashëgimi dhe të drejtat pronësore të jenë pre e diskriminimit gjinor. Dhe se, çështja e trashëgimisë nuk është vetëm një çështje e izoluar, por prona realisht përbën një instrument të fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi te gjitha”, shtoi Osmani.
Shefi i EULEX-it tha se të drejtat e kufizuara ekonomike për gratë janë një terren i përshtatshëm për dhunën në familje.
“Largimi nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft i rëndë nëse nuk ke pronë, nuk ke vend për të kërkuar strehim dhe mbrojtje. Nëse nuk ke të ardhura tua, ju mund të vendosni që ta toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie keqtrajtuese. Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme. Por strehimoret nuk janë zgjidhje e përhershme” tha Wigemark.
Wigemark shtoi se viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për mbështetje publike afatgjatë për t’u shkëputur nga rrethi vicioz i të qenit të varur ekonomikisht dhe financiarisht nga keqtrajtuesit e tyre. “Për të qenë konkret, komunat këtu në Prishtinë dhe gjithandej nëpër Kosovë duhet të sigurojnë strehimore publike të subvencionuara për viktimat e dhunës në familje të cilat nuk ka pronë të veten. Kjo do të ishte një prej detyrave të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave, shumica dërrmuese e të cilëve janë burra”, tha Wigemark.
Zëvendësministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nita Shala, tha se duke e pranuar domosdoshmërinë për ta garantuar të drejtën e pronës për gratë dhe vajzat, duke e kuptuar vlerën e adresimit të dhunës në familje, ne e kemi trajtuar këtë çështje gjatë hartimit të strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Kjo strategji ka identifikuar aktivitete specifike që synojnë fuqizimin ekonomik.
Gjatë këtij aktiviteti u lansua edhe fushata ndërgjegjësuese “Mos qëndroni viktimë e dhunës në familje, ngaqë nuk keni nga të shkoni. Kërkoni të drejtën tuaj të pronës!” Kjo fushatë, e cila mbështetet nga EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë, Ministria e Drejtësisë dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, synon fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për të kërkuar të drejtën e tyre në pronë, në mënyrë që të bëhen të pavarura financiarisht. Një pavarësi e tillë do t’i ndihmojë atyre që të largohen nga marrëdhëniet keqtrajtuese.
Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta pronësore. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 17% e grave në Kosovë posedojnë pronë, ndërsa 7% e grave trashëgojnë pronë. Përveç kësaj, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën dhe në këtë mënyrë përkeqësohet pabarazia ekzistuese e pronësisë mbi pronën.