75 Mall Live Search
09:23 / E Enjte, 02 Dhjetor 2021 / k.v

Në poezinë e bukurive alpine

Kur drushitësi Giambattista Righi, një fshatar nga lugina e Rendenës bleu për 40 mijë fiorinta ish manastirin e Shën Marisë së Campiglios, duke e shndërruar në hotel për turistë, u vërejt gati me qesëndi nga banorët e fshatrave përreth. E po me aq qesëndi u vërejt edhe kur ndërmori iniciativën e ndërtimit të rrugës që nga Pinzolo deri tek hoteli. Askush nuk e ndihmoi në këtë sipërmarrje dhe ai vdiq i zhytur në borxhe për hir të kësaj iniciative. Por kur në Madonna di Campiglio filluan të vërshojnë si turistë pasanikë nga më të zgjedhurit e Europës, të gjithë e kuptuan se drushitësi i thjeshtë kishte qenë një mendje e ndritur dhe largpamëse. Ndaj edhe i ngritën një monument, në krye të rrugës që ai e ndërtoi vetë, aty ku vuri kokën mbi një trung peme dhe vdiq.

Po me aq shije e largpamës u tregua edhe një i quajtur Franc Jozef Austriaku, i cili e bleu menjëherë këtë hotel. Ai kishte edhe një hotel në Trento dhe me intuitën e tij kuptoi se Madonna di Campiglio mund të bëhej lokaliteti numër një për turizmin dimëror në të gjithë Italinë. Ai investoi gjithçka në këtë projekt. Përflitej se ai ishte bir ilegal i Franc Jozefit, perandor i Austrohungarisë. Nuk dihet sa të vërtetë kishte në këtë përfolje, por një gjë është e vërtetë. Largpamësia dhe shija e tij ishin me siguri perandorake. Sepse diti të tërheqë në këtë lokalitet malor në lartësinë 1550 metra mbi nivelin e detit, elitën e aristokracisë europiane të kohës. Vetë Franc Jozefi perandor dhe bashkëshortja e tij, bukuroshja inteligjente dhe me shije të jashtëzakonshme, Sissi, ishin ndër mysafirët e parë dhe vinin këtu fundjavave për të kaluar kohën mes bukurive magjike të kësaj lugine alpine dhe valcerit vienez.

Austriaku investoi dhe e shfrytëzoi këtë kryevepër turistike për gati 80 vjet, deri nga gjysma e shekullit të kaluar, kur u futën sipërmarrësit lombardas për ta kthyer atë në lokalitetin turistik që është sot e që tërheq vëmendjen e gjithë të dashuruarve pas pejsazhit malor dhe pas sportit të skive.

Po i mendoja këto tek ngjiteshim me shkrimtarin dhe mikun tonë Rexhep Hoti, i cili kishte ardhur nga Kosova për të promovuar librin e tij “Nata e Kosovës” midis emigrantëve shqiptarë dhe lexuesve italianë, meqenëse kam patur kënaqësinë ta përkthej këtë roman në gjuhën italiane. Rexhepi ka vizituar shumë qytete në Itali. Qyteteve të tilla si Roma e Venezia u ka kushtuar edhe nga një poemë. Bashkë kemi qenë edhe në qytetin e Firences mes mrekullive të periudhës së rilindjes italiane dhe monumenteve të pavdekshme të atij qyteti. Por këtë radhë deshëm ta njihnim mysafirin tonë me mrekullitë turistike që paraqesin alpet e zonës së Trentos, me ato që mund të konsiderohen maja e diamantit, Dolomitet e Brentës. E midis këtyre maleve që përkëdhelin qiellin me majat e tyre, ndodhet Madonna di Campiglio, në një luginë që ka formën e guackës ku fshihet një perlë e vërtetë.

Një mjegull e dendur ngrihet luginës dhe e mbulon me një vel të dendur pejsazhin përreth, duke na i fshehur bukuritë, ashtu siç fsheh fustani dhe veli nusëror hiret e një nuseje me bukuri mahnitëse. Por këto male janë si një nuse rebele, që zbulon herë një krah, herë një vetull e herë një tufë flokësh, duke e hedhur tej vështrimin përmes syrit çapkën. Kështu copa-copa i sodisim edhe ne bukuritë, derisa arrijmë në Madonna di Campiglio, ku duket sikur nusja e humbet durimin dhe e hedh përdhe vellon e saj të bardhë. Këmbët tona shkelin mbi dëborë, duke shënuar kontaktin tonë të parë për këtë vit me magjinë që zbret nga qielli.

E para që lëshon thirrje gëzimi prej fëmije është Mimoza, që zbret nga makina e fillon të vrapojë nëpër dëborë, duke harruar që ka lënë pallton në makinë e jashtë temperatura është nën zero. Pastaj vrapojmë edhe unë e Rexhepi, për të soditur pejsazhin mashështor që na shpaloset përpara syve e për të bërë pa fund foto-kartolina.

Shikojmë disa nga impiantet e shumta të skive, që janë ende bosh e presin hapjen e sezonit, me shpresën që sivjet pandemia nuk do të bllokojë gjithçka si vitin e kaluar. Madonna di Campiglio ka 57 impiante të tilla e mbi 150 kilometra pistash të ndryshme, shtigje e itinerare të shumta dimërore, me një kapacitet lëvizës të turistëve dhe dhashamirësve të sportit prej 30 mijë vetash në orë. Imagjinoni gjallërinë e kësaj zone kur turizmi dimëror është në kulmin e vet dhe përfitimin që i jep ekonomisë një lëvizje e tillë.

E shikoj shkrimtarin Hoti tek ndalet ndonjë çast i menduar si të jetë nën motivin e një poezie të re. Pastaj vrapon tek dreri skulpturë në një nga rrugët qendrore të lokalitetit për të bërë srish foto. E orët kalojnë pa u ndjerë, duke diskutuar herë për këto bukuri tërheqëse e herë për ndonjë libër apo projekt të ri të autorit. Në buzëmbrëmjen e një dite më parë, kur ai sapo kishte arritur në Trentino, pa pushuar as edhe një minutë nga udhëtimi i gjatë mbi 15 orë me makinë vajtëm bashkërisht në Riva del Garda. Po binte muzgu dhe rrezet e diellit në perëndim dukej sikur e përflaknin sipërfaqen e liqenit, siç ndodh me liqenet vullkanikë. Rexhepi, i mahnitur nga këto bukuri, lëvizte me një energji djaloshare për të futur në fokus sa më shumë nga magjia e një muzgu të tillë.

Të tilla, të bukura, bëhen edhe shetitjet e tjera. Vajtëm në Mantova, në qytetin ku u internua Romeo dhe që sot përbën një nga tërheqjet më të rëndësishme turistike italiane.Rexhepi kishte vizituar më parë Veronën, qytetin e Zhuljetës, ndaj e kishte të nevojshme të plotësonte udhëtimin e fantazisë shekspiriane. Në lokalitetin tjetër turistik të Folgarias, ndeshemi sërish me dëborën. Me ne është edhe miku ynë Xhemal Hyzoti, i cili, me bashkëshorten e tij, Lutfien, do na ftonte në një darkë romantike në restorantin “Zurigo”. Sugjestionuese ishte vizita tek Liqeni Toblino, me kështjellën në mes e me legjendën e trishtë. Ndonëse kështjella ishte mbyllur për momentin, patëm mundësinë të fotografonim liqenin e ambientet përreth kështjellës e të flisnim për legjendën që fle në ujërat e heshtura të liqenit.

Mbrëmjeve, në shtëpinë tonë, në dhomën e madhe pranë oxhakut, zhytemi mes librash e diskutimesh, ndërsa Moza kërkon të jetë në lartësinë e saj për të na kënaqur me prodhime të kuzhinës italiane.

I bukur e me emocione ishte edhe momenti i promovimit të librit “Nata e Kosovës”. Madje do ta quaja promovim të krijimtarisë së shkrimtarit Hoti, pasi ai ka sjellë edhe vëllimin me poezi në shqip e në italisht, si dhe libra të tjerë të shkruar vitet e fundit. Ato janë ekspozuar në një tavolinë në njërën nga sallat e Vilës Cupido në Reggio Emilia. Emigrantët shqiptarë, nga Shqipëria e nga Kosova, anëtarë të shoqatave “Shqiponja” e “Zëri i Atdheut” vijnë grupe-grupe e i mbushin të tri sallat e vilës. Promovimi ka qëlluar edhe me festën e Pavarësisë e në fakt duket se përmbajtja e romanit “Nata e Kosovës” përkon edhe me këtë festë, që përkujton përpjekjet, luftrat dhe sakrificat e një kombi të tërë për të arritur në Ditën e madhe të Flamurit kombëtar. E është pikërisht Himni i Flamurit që hap këtë mbrëmje feste e mbrëmje letrare njëherësh.Janë rreth 300 emigrantë që kanë ardhur me familjet e tyre jo vetëm nga Reggio Emilia, por edhe nga Milano, Lecco, Trentino etj.

Emigrantët vijnë dhe e takojnë me respekt mysafirin e ardhur nga Kosova. Shumë prej tyre e njohin tashmë, sepse ai ka qenë edhe para dy vitesh në këtë qytet e ka zhvilluar takime me anëtarë e aktivistë të dy shoqatave. Bisedat janë të përzemërta midis vëllezërish.. Pata nderin e kënaqësinë të shpalosja vlerat artistike të romanit “Nata e Kosovës”, që i është patraqitur edhe lexuesit italian nëpërmjet publikimit nga shtëpia botuese “Kimerik”. Pjesëmarrësit shprehin interes pasi autori ka sjellë në librin e tij atë periudhë historike që zgjoi shqiptarët e Kosovës drejt ëndrrës së tyre për Kosovën Republikë dhe të pavarur, ëndërr që u realizua përmes sakrificash të mëdha, me humbje jetësh njerëzore në luftën heroike kundër genocidit serb.

Pastaj në bashkëbisedim të mëtejshëm, autori Hoti u ndal në frymëzimet që e çuan në realizimin e kësaj vepre, si dhe në projektet e tij për veprat e ardhshme e në dëshirën për të qenë në kontakt me emigrantët e për të bërë me ta promovime të reja të krijimtarisë së tij të gjerë e të pasur. Në këtë atmosferë ai nënshkruan edhe autografe për lexuesit që vijnë e tërheqin nga librat e tij.

E pashë të emocionuar shkrimtarin Hoti edhe kur shkuam të vizitojmë në Rovereto Këmbanën e Paqes, apo këmbanën e të rënëve, siç e quajnë këtu dhe muzeun pranë saj. Është një simbol në kujtim të të rënëve në Luftën e Parë Botërore. Këmbana është një nga më të mëdhatë në botë dhe është vendosur mbi një kodër, në këmbët e së cilës ndodhet qyteti dhe pastaj shtrihet lugina e bukur e lumit Adige. Mbi të shpërndahen deri larg tingujt e këmbanës që tingëllon në kujtim të të rënëve në luftë. Kjo këmbanë është prodhuar nga shkrirja e gëzhojave të topave që u përdorën në këtë zonë në luftën e parë botërore, si për të bërë një apel për paqe e kundër luftrave që i kanë kushtuar shtrenjtë mbarë njerëzimit.

Në shtegun hyrës për tek sheshi ku është ngritur këmbana valëviten flamujt e 92 shteteve të ndryshme. I pari në radhë është flamuri shqiptar. Mes tyre është edhe flamuri i Republikës së Kosovës, i ngritur me kërkesën e emigrantëve kosovarë në zonë. Shkrimtari Hoti viziton me vëmendje e përcjell me emocion gjithçka në këtë kodër paqeje. Jo larg prej aty është varreza e përbashkët e të rënëve italianë e austriakë. Në fushën e betejës ishin kundërshtarë dhe u vranë ndërmjet tyre. Këtu prehen bashkërisht. Edhe kjo në mënyrë simbolike si thirrje për të mos patur më luftra.

Ndërsa shkrimtari Rexhep Hoti ka marrë rrugën e kthimit për në Kosovë, takohem me miq e aktivistë të shoqatave në zonën e Trentinos për të organizuar një promovim tjetër. Mbase në prag të përvjetorit të ardhshëm të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Është diçka e bukur kur historia dhe letërsia ecin krah për krah. E festohen bashkërisht nga lexuesit.

Ndue Lazri