75 Mall Live Search
18:38 / E Hënë, 27 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Presidenti për festat e Nëntorit, homazhe tek Jasharajt

Pas përuljes tek shtatorja e komandantit të UÇK-së Zahir Pajaziti dhe tek varri i Ibrahim Rugovës, presidenti i Kosovës pasdite ka bërë homazhe edhe në Prekaz, aty ku janë të varrosur komandanti legjendar i UCK-së Adem Jashari dhe familja e tij.

Presidenti Thaçi tha me këtë rast se janë këtu në Prekazin e Adem Jasharit për t’i kujtuar ata për festat e Nëntorit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen në skenë të UÇK-së më 28 nëntor të vitit 1997 dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

Ai tregoi se nesër për nder të këtyre festave do të jenë në Shqipëri për t’iu bashkuar festës mbarëkombëtare për ditën e Flamurit.

 

“Sot ishim kudo në Republikën e Kosovës për të vazhduar nesër në Shqipëri ku do të jemi të gjithë së bashku me institucione te Kosovës dhe Shqipërisë për të bërë vlerësimin dhe nderimin institucional dhe gjithëkombëtar për 28 Nëntorin. Sonte jam këtu në Prekaz për të nderuar dhe respektuar në mënyrën më të lartë shtetërore jetën, punën dhe angazhimin dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari por edhe të gjithë familjes Jashari por edhe të gjithë heronjve dhe luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre trimave që qëndruan në istikame për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi gjatë ditës ka qëndruar në Gjilan ku së bashku me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta kanë bërë zbulimin e shtatores së heroit të kombit Idriz Seferi.

Me këtë rast presidenti Thaçi ka dekoruar Idriz Seferin me urdhrin “Hero i Kosovës”.