Pacolli: Pagova 90 mijë euro aeroplanin që të kthehesha për ta votuar Vjosa Osmanin

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se është kthyer nga Stambolli me avion privat për të votuar Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës.
“Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës, kam edhe një parti e cila ka bile edhe disa asamblistë nëpër komuna që tani i ka votuar. Konsideroj se kam një respekt nga njerëzit ku shkoj. Askënd s’e kam gënjyer, askënd s’kam mashtruar, s’e kam zhvatur buxhetin, s’kam marrë as pagë, s’di çka është me marrë pagë për Kosovën”, thotë Pacolli, për RTK-në.
Pacolli tregon si e kishin ftuar për të ardhur e për të votuar Vjosa Osmanin si presidente.
“Unë kam qenë në Stamboll. Fëmijët e mi erdhën prej Zvicrës, unë i prita në Stamboll. I kam futur në aeroplanin tim duke u mbyll dera, se ne shkonim në pushim me fëmijët e mi. Vjen një telefonatë prej Prishtinës: ‘Ju lutem kthehuni se sot do të ketë votim për presidenten’. Unë u dashtë me ju thanë fëmijëve të mi që e kishin prit pushimin: ‘shkoni ju e unë vijë nesër’”, shpjegon ai.
“Unë e kam marrë një aeroplan tjetër privat, e kam paguar 90 mijë euro prej Stambollit, kam ardhur në Prishtinë e kam votua zonjën Osmani dhe jam kthyer prapë në Stamboll, e kam marrë avionin tjetër dhe kam shkuar te fëmijët e mi”, theksoi ai.
Thotë se asnjëherë, nuk është falënderuar për këtë veprim.
“Asnjëherë, as Vjosa Osmani s’më ka thirr. Tre mesazhe ia kam dërguar Vjosa Osmanit”, tha Pacolli.