Rrëmbyesit e Haitit lirojnë 12 pengje

12 nga 17 misionarët që u rrëmbyen nga një bandë e armatosur në Haiti në tetor janë liruar.
Ministritë e Ndihmës së Krishterë konfirmuan lajmin në faqen e tyre të internetit.
Pesë nga pengjet ishin liruar javët e fundit.
Grupi i përbërë nga 16 amerikanë dhe një kanadez, përfshirë fëmijë, u rrëmbyen pasi ata vizituan një jetimore në një zonë të drejtuar nga një bandë e fuqishme kriminale.
Ata po ktheheshin nga vizita kur autobusi me të cilin po udhëtonin u kap nga anëtarët e bandës në një rrugë kryesore në qytetin e Ganthier, në lindje të kryeqytetit Port-au-Prince.
Grupi, i cili përbëhej nga misionarë dhe familjet e tyre, përfshinte pesë burra, shtatë gra dhe pesë fëmijë. Të rriturit janë të moshës nga 18 deri në 48 vjeç, ndërsa fëmijët janë të gjithë nën 15 vjeç.
Kur grupi u rrëmbye për herë të parë më 16 tetor, The Washington Post raportoi se njëri prej tyre kishte postuar një mesazh WhatsApp duke bërë thirrje për ndihmë.
“Ju lutemi lutuni për ne!! Ne jemi duke u mbajtur peng, na kanë rrëmbyer shoferin. Lutuni, lutuni. Ne nuk e dimë se ku po na çojnë”, thuhej në të.
Banda, e njohur si 400 Mazowo, kërkonte një shpërblim prej 1 milion dollarësh (740,000 £) për secilin nga 17 pengjet.
Dy persona u liruan në nëntor dhe tre të tjerë në fillim të dhjetorit, por identiteti i tyre nuk u zbulua.
Të gjithë anëtarët e grupit më në fund u liruan dy muaj pasi u rrëmbyen. Lirimi i tyre pasoi javë të tëra negociatash me 400 Mazowo, tha zëdhënësi i policisë Gary Desrosiers për agjencinë e lajmeve AFP, duke i dhënë fund një sprove solli vëmendjen globale ndaj problemit në rritje të Haitit të rrëmbimeve nga bandat.
Nuk dihet nëse është paguar një shpërblim dhe është e paqartë se çfarë ka ndodhur me shoferin Haitian të grupit./BBC