75 Mall Live Search
18:52 / E Martë, 21 Dhjetor 2021 / OSH

Kurti dhe Rizvanolli zotohen për më shumë përkushtim ndaj sektorit minerar

Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vizitoi Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Në këtë takim, kryeministri Kurti tha se qeveria është e angazhuar për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe sektori minerar historikisht e ka dëshmuar se ai është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa, ministrja Rizvanolli shtoi se përveç prodhimit të energjisë elektrike, resurset minerare që posedon Kosova janë potencial edhe për ekonominë e tregut dhe ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike.

“Krahas fuqizimit dhe zhvillimit të këtij sektori nëpërmjet hartimit të kornizës adekuate ligjore, sektori minerar kërkon angazhim të mëtutjeshëm për ofrimin e kushteve të përshtatshme për investime të mundshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e minierave”, u tha gjatë takimit.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për sfidat e këtij sektori dhe nevojën për përmirësimin e teknologjisë, ngritjen e kapaciteteve profesionale, hulumtime të reja për identifikimin e resurseve minerale, zhvillimin e industrisë përpunuese dhe ngritjen e sigurisë në punë.

Të pranishëm aty ishin edhe kryesuesja e Bordit, Selvete Grajçevci-Pllana dhe anëtarët e tjerë të bordit të KPMM-së u diskutua mbi rëndësinë dhe rolin e sektorit minerar në vend.