75 Mall Live Search
11:00 / E Hënë, 27 Dhjetor 2021 / MSH

OKB redukton furnizimin me ushqim në Jemen

Programi Botëror i Ushqimit (WFP), në kuadër të OKB-së, është detyruar të reduktojë ndihmën ushqimore për Jemenin, pas krizës financiare.

Ky reduktim ka ndikuar drejtpërdrejt në tetë milionë jemenas, të cilët kanë nevojë për ndihmë.

Nga janari i vitit të ardhshëm, familjet e prekura nga ky program do të marrin vetëm gjysmën e racionit minimal ditor nga agjencia e OKB-së.

WFP ka paralajmëruar që rezervat ushqimore i ka jashtëzakonisht të ulëta dhe se reduktimet e rënda janë të pashmangshme tani për tani.

Donatorët kanë premtuar vetëm 2.23 miliardë dollarë (1.68 miliardë £) nga 3.85 miliardë dollarë të kërkuara nga agjencitë e OKB-së për përpjekjet e ndihmës humanitare në vendin e shkatërruar nga lufta këtë vit.

Sipas BBC-së, WFP ka nevojë për 813 milionë dollarë për të vazhduar të ndihmojë më të rrezikuarit deri në maj, dhe 1.97 miliardë dollarë për të ndihmuar ata që janë në prag të urisë gjatë gjithë vitit 2022.

Mungesa e fondeve mund të detyrojë organizatën që të heqë njerëz nga lista përfituese.

Sipas WFP-së, rreth 16 milionë njerëz tashmë janë prekur nga konsumi i pamjaftueshëm i ushqimit dhe se kjo gjë e ka çuar ekonominë jemenase drejt kolapsit.

Çmimet e ushqimeve janë dyfishuar në shumë pjesë të këtij vendi teksa luftimet në vijat e frontit janë duke e vështirësuar edhe më shumë mbijetesën atje.