Eksportet e naftës së Iranit- fokus i bisedimeve bërthamore të Vjenës

Fokusi kryesor i Iranit në bisedimet bërthamore që rifillojnë në Austri të hënën, do të jetë heqja e të gjitha sanksioneve amerikane në një proces të verifikueshëm që garanton aftësinë e papenguar të Teheranit për të eksportuar naftën e tij, tha ministri i Jashtëm iranian.
Negociatat me fuqitë botërore për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), do të rifillojnë në Vjenë në orën 18:00, njoftoi media shtetërore.
“Çështja më e rëndësishme për ne është të arrijmë në një pikë ku, së pari, nafta iraniane mund të shitet lehtë dhe pa pengesa”, cituan mediat iraniane të ketë thënë ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian.
“Paratë nga nafta (shitjet) do të depozitohen si valutë të huaj në bankat iraniane, kështu që ne mund të gëzojmë të gjitha përfitimet ekonomike të përcaktuara në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit”, shtoi ai, shkruan Reuters.
Eksportet e naftës, burimi kryesor i të ardhurave të Iranit, janë zhytur nën sanksionet e SHBA-së. Teherani nuk zbulon të dhëna, por vlerësimet e bazuara në transportin dhe burime të tjera sugjerojnë një rënie nga rreth 2.8 milionë fuçi në ditë (bpd) më 2018, deri në 200,000 fuçi në ditë. Një sondazh vendosi eksportet në 600,000 fuçi në ditë në qershor.
“Nga sot, negociatat tona do të fillojnë në bazë të këtij dokumenti të përbashkët. Garancitë dhe verifikimi janë ndër çështjet e rendit të ditës”, tha Amirabdollahian.