75 Mall Live Search
19:44 / E Enjte, 06 Janar 2022 / MSH

Sulmi i Kapitolit në SHBA, Biden: Rebelët mbajtën kamë në fyt të Amerikës

Presidenti Joe Biden ka thënë se rebelët që sulmuan Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021 “mbanin një kamë në fyt të Amerikës dhe demokracisë amerikane”.

Në një fjalim televiziv që shënonte përvjetorin e parë të ngjarjeve, Biden tha se ata erdhën “të zemëruar” dhe “në shërbim të një njeriu”, shkruan BBC.

Ai akuzoi paraardhësin e tij Donald Trump për përhapjen e “një rrjetë gënjeshtrash” që çuan në sulmin në ndërtesën e Kongresit.

Hetuesit deri më tani kanë arrestuar 725 të dyshuar në lidhje me trazirat.

“Ata që sulmuan këtë Kapitol dhe ata që nxitën këtë incident, mbajtën një kamë në fyt të Amerikës dhe demokracisë amerikane”, tha Biden në Statuary Hall, një pjesë e kompleksit të Kapitolit që u shkel nga rebelët.

“Ata erdhën këtu me inat, jo në shërbim të Amerikës, por përkundrazi, në shërbim të një njeriu.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka krijuar dhe përhapur një rrjet gënjeshtrash për zgjedhjet e 2020… Egoja e tij e mavijosur ka më shumë rëndësi për të sesa demokracia apo kushtetuta jonë”, shtoi ai.

Më 6 janar 2021, mbështetësit e Trump sulmuan ndërtesën, ndërsa Kongresi po mblidhej për të vërtetuar fitoren e Biden në zgjedhjet presidenciale. Imazhet e ligjvënësve amerikanë të strukur nga turma në galerinë e Dhomës së Përfaqësuesve atë pasdite tronditën botën.

Trump u kishte kërkuar protestuesve në një tubim jashtë Shtëpisë së Bardhë pak më parë që të marshonin në mënyrë paqësore drejt Kongresit, por ai gjithashtu i inkurajoi ata të “luftonin” dhe nxiti turmën me pretendime të pabazuara për mashtrim masiv të votuesve në zgjedhjet që sapo kishte humbur.