Bandat në Haiti vrasin dy gazetarë

Dy gazetarë nga Haiti janë qëlluar dhe më pas janë djegur të gjallë në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince, shkruan BBC.
Wilguens Louissaint dhe Amady John Wesley kishin udhëtuar në një zonë ku bandat rivale po luftojnë për kontroll.
Punëdhënësi i Wesleyt, Écoute FM, tha në një deklaratë se ai u vra “në mënyrë të egër”, teksa po raportonte për zonën.
Deklarata, e postuar në Facebook, sugjeron se një nga bandat qëndron pas vdekjeve.
Një burim konfirmoi për CNN se gazetarët ishin djegur të gjallë, ndërsa një tjetër burim i paidentifikuar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se një gazetar i tretë arriti të arratisej.
Situata e sigurisë në Haiti ka rënë ndjeshëm që nga vrasja e presidentit Jovenel Moïse në korrik.
Të shtunën, persona të armatosur u përpoqën të vrisnin kryeministrin Haitian Ariel Henry.
Ai ishte zotuar se do të godiste bandat që po fajësohen për një valë rrëmbimesh në të gjithë vendin.
Nuk dihet saktësisht se cila bandë kishte vënë në shënjestër gazetarët. Sipas mediave vendase, ata mund të kenë tentuar të intervistojnë një nga drejtuesit rivalë.
Écoute FM denoncoi sulmin ndaj gazetarëve që ushtrojnë profesionin në Haiti.
“Reporterët pa Kufij” e përshkruan atë si një vend të rrezikshëm dhe të pasigurt për të punuar, duke vënë në dukje se një numër gazetarësh janë vrarë vitet e fundit.