Kameruni gati për festën e futbollit

Punëtorët po bëjnë prekjet e fundit në zonat e tifozëve në Yaounde, përpara nisjes së shumëpritur të ngjarjes më të madhe sportive të Afrikës. I shoqëruar nga periudhë e gjatë me probleme dhe pasiguri, Kupa njëmujore e Afrikës (AFCON) fillon të dielën kur shteti pritës, Kameruni, do të luajë kundër Burkina Fasos.
Përgatitjet për të aftësuar ekranet gjigante, dyqanet, restorantet dhe hapësirën e fansave për mijëra mbështetës në kryeqytetin e Kamerunit janë punët e fundit.
“Neve kamerunasve na pëlqen të lëmë gjithçka në momentet e fundit”, qeshet Simon Atangana, një ish-lojtar i Kamerunit, që është pjesë e një organizate që krijon zonat e tifozëve. “Gjithçka sigurisht që do të jetë gati. Kupa e Afrikës do të jetë një festë e madhe dhe fotografitë do të shpërndahen në mbarë botën”.
Një armik i njohur, koronavirusi, është një problem që të gjithë e kanë në mendje. Pandemia globale detyroi shtyrjen e AFCON-it nga viti i kaluar dhe frika për një shtyrje tjetër u hoq vetëm muajin e kaluar. Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) ka vendosur rregulla të ashpra në një përpjekje për të parandaluar që turneu të bëhet një ngjarje super-përhapëse. Ata që duan të hyjnë në stadium duhet të vaksinohen plotësisht, në një vend ku vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është vaksinuar, dhe të tregojnë një test negativ PCR për virusin që është më pak se 72 orë i vjetër.
Vendet nëpër stadiume janë kufizuar në 60 për qind të kapacitetit, megjithëse kjo do të rritet në 80 për qind kur luan Përfaqësuesja e Kamerunit. Përhapja e shfrenuar e variantit Omicron po godet formacionet e ekipeve.
Sulmuesi i Arsenalit dhe i Gabonit, Pierre-Emerick Aubameyang, është lojtari i fundit që ka rezultuar pozitiv dhe mund të humbasë ndeshjen e parë të Grupit C kundër Komorosit, më 10 janar.
“Ne pyetëm CAF-in nëse mund të zëvendësojmë disa nga lojtarët tanë që u infektuan me Covid-19, por përgjigja ishte negative”, tha trajneri i Gambisë, Tom Saintfiet. “Nëse kjo mbetet ende kështu mund të jetë një katastrofë, pasi bazuar në rregullat aktuale, ne nuk lejohemi të zëvendësojmë askënd në listën përfundimtare të skuadrës me 28 lojtarë”.
Në sheshin “Warda” të kryeqytetit të Kamerunit, Yaounde, shitësit e flamujve, fanellave dhe vuvuzelave thonë se kanë pasur një fillim të ngadaltë në tregti. Megjithatë ata janë optimistë se shitjet do të rriten me fillimin e ndeshjeve të Kupës së Afrikës, që nis të dielën dhe përfundon më 6 shkurt, po ashtu në Yaounde.
“Biznesi nuk e ka marrë veten ende aq shumë sa do të doja, por unë jam optimist”, tha Arnaud Medja (29), veshur nga koka te këmbët me ngjyrat kombëtare të Kamerunit. “Thjesht po kërkon më shumë kohë se sa ishte planifikuar. Janë thjesht rregullat e Covidit që kanë ardhur dhe kanë vënë një pengesë për gjërat. Mirëpo, kur të nisin ndeshjet, do të jetë gjithçka shumë më mirë”.
Kupa dhe maskota e luanit të turneut, Mola, kanë pushtuar rrugët në Yaounde, të mbështetur nga kërcimtarë dhe muzikantë. Shihen edhe motoçiklistë të stolisur me flamujt e të gjitha vendeve garuese.
“Kupa e Afrikës do të jetë argëtuese, një festë”, tha Laurentine, një shitëse kozmetike. “Do të jetë mirë të shohësh qytetin të lëvizë dhe të shikosh të gjithë të dalin përsëri”.
Prej të mërkurës dhjetëra njerëz u rreshtuan jashtë pikave të shitjes së biletave, pasi AFCON tha se kishin dalë në shitje. Por ata pritën kot.
“Dje e kalova gjithë ditën në radhë. Shkova në bashkinë e qytetit, në stadiumin Ahidjo, por ende asgjë nuk ka në shitje. Jam e përkushtuar ta shoh ndeshjen hapëse të Kupës së Afrikës”, tha Karine Sunshine, 23-vjeçare. “Ne kemi pritur 50 vjet për këtë moment. Unë i kam marrë vaksinat vetëm për ta shikuar këtë turne, pasi besoj se Kameruni do ta fitojë. Do të ketë atmosferë fantastike”.
Por jo të gjithë dukej se ishin të vetëdijshëm për kufizimet anti-Covid të turneut, apo të shqetësuar për virusin. Në tregun qendror të Yaoundes, qindra njerëz, asnjëri prej tyre me maskë, u mblodhën nëpër tezga, ndërsa muzika kamerunase dhe ndërkombëtare shpërtheu nga altoparlantët.
“Po, sigurisht do të shkoj në stadium”, tha Abdoulay, një shitës uji. “Duhet të vaksinohem për të hyrë? Atëherë nuk do të shkojë sepse unë nuk kam marrë asnjë vaksinë. Nuk ka koronavirus në Kamerun dhe ne nuk e duam vaksinën këtu”.