Përfitimi marramendës nga pajisjet që u konfiskuan sot në veri

Në aksionin e sotëm të Policisë në Leposaviq u konfiskuan 272 pajisje minuese të kriptovalutave.
Sipas Doganës së Kosovës, pajisjet e konfiksuara në fshatin Trebice të Leposaviqit janë:
Antminer S9i 14.0T-128 copë,
Antminer S9 13.5T-117 copë,
Antminer S9 13.0T- 5 copë,
Antminer S9i 14.5T- 19 copë,
Antminer S9 10.5T- 3 copë.
Të gjitha këto pajisje arrijnë të përpunojnë shuma të konsiderueshme të konvertuara në Bitcoin, raporton Indeksonline.

Megjithatë, krahas prodhimtarisë, pajisjet shpenzojnë konsiderueshëm edhe energji elektrike.
Sipas Bitmain, pajisjet e Antminer, kur krahasohet përfitimi me energjinë elektrike që kanë shpenzuar, del që nuk janë aq profitabile, madje fitimi shpesh herë është nën zero.

Por, marrë parasysh faktin që faturat e energjië elektrike në katër komunat në veri të Kosovës paguhen nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, përfitimi nga këto pajisje ka dalur të jetë në dobi të prodhuesve.
Kështu, përfitimi i madh dhe i levërdisshëm nga këto pajisje po u siguron prodhuesve të kriptovalutave në veri më shumë se 300 mijë dollarë në vit.
Qeveria e Kosovës tash e disa ditë ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave, gjëq që është përshendetur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e sidomos ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka mbi një muaj që po bën thirrje për kursim të energjisë elektrike në çdo formë.
Ajo aksionin e sotëm e ka quajtur “kursim” të taksapaguesve të Kosovës.
“Mbi 50,000 Euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion. Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”, ka shkruar Rizvanolli mbi fotografitë e aksionit në Leposaviq./Indeksonline/