Kontrolle në Gjermani, policia po kërkon konfirmime të rreme për COVID

Policia në Gjermani të enjten kreu kontrolle në më shumë se njëqind apartamente dhe zyra mjekësh me dyshimin për falsifikim të kartelave të COVID-19.
“Policia sekuestroi disa leje për COVID dhe telefona mobilë dhe u morën mostra gjaku nga shumë të dyshuar”, tha policia.
Siç u theksua, veprimi i policisë nuk ka hasur në rezistencë nga të dyshuarit.
Në qendër të hetimit është një mjek në jug të Gjermanisë, i cili dyshohet se ka lëshuar kartela false për COVID për persona nga e gjithë Gjermania. Në disa pacientë që dëshironin të vaksinoheshin kundër koronavirusit, mjeku simuloi vaksinimin dhe më pas lëshoi leje.
Personat të cilët me vetëdije kërkuan nga mjekët e tyre vaksinimin pa e marrë vaksinën, po hetohen nën dyshimin se kanë ndihmuar dhe nxitur veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe shkelje të ligjit për mbrojtjen nga infeksioni.
Në disa shtete federale u kryen kontrolle dhe qytetarët u goditën nga fakti se makina me targa nga e gjithë Gjermania po mblidheshin para zyrës së mjekut në provincën bavareze.
Aktualisht në Gjermani ka një debat për futjen e një detyrimi të përgjithshëm për të vaksinuar kundër koronavirusit, i cili përveç koalicionit qeverisës Socialdemokrate-Gjelbër-Liberal, mbështetet edhe nga opozita kristiandemokrate.
Sipas një sondazhi të kryer nga “Spiegel” në fillim të kësaj jave, 64 për qind e qytetarëve gjermanë të anketuar mbështesin futjen e një detyrimi të përgjithshëm vaksinimi.