Deputetja e LDK-së nuk ftohet në mbledhjen e kryesisë, reagon me shkrim të gjatë!

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka bërë të ditur se mbrëmë nuk është ftuar në mbledhjen e LDK-së në Vushtrri, shkruan IndeksOnline.
Ajo tha se mbledhja e mbrëmshme është mbajtur pa praninë e shumicës së anëtarëve të kryesisë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur kourum për marrjen e ndonjë vendimi.
Sipas saj, vendimi i mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së degës për përjashtimin e tre asamblistëve nuk është në pajtim me Statutin e LDK-së.
Postimi i plotë:
Të nderuar anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të LDK-së,
Mbrëmë vonë, dega e LDK-së në Vushtrri, ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku unë si nënkryetare e degës dhe anëtarë tjerë të kryesisë nuk jemi ftuar fare.
Në mbledhje duhet të ftohen të gjithë anëtarët e kryesisë, pa dallim. Secili është i barabartë dhe secili ka të drejtë vote. Rrjedhimisht, mos thirrja e anëtarëve në mbledhje të kryesisë përbën shkelje statutare. Andaj, kjo formë e thirrjes së mbledhjes është e pa pranueshme dhe brengosëse sepse instalon praktika që dëmtojnë rëndë imazhin e degës tonë.
Vendimi i mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së degës për përjashtimin e tre anëtarëve/asamblistëve tanë nuk është në pajtim me Statutin e LDK-së dhe si i tillë cenon rëndë rregullativen juridike mbi bazën e së cilës funksionojmë si subjekt politik si dhe demokracinë tonë të brendshme në parti.
Mbledhja e mbrëmshme është mbajtur pa praninë e shumicës së anëtarëve të kryesisë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur kourum për marrjen e ndonjë vendimi.
Lidhur me përjashtimin e anëtarëve të LDK-së mund të vendos Komisioni Disiplinor i Kryesisë Qëndrore të LDK-së dhe vetëm pas argumentimit të shkeljeve disiplinore nga cilido anëtar dhe shterrjes së debatit brenda sturkturave të partisë.
Në LDK nuk kemi njerëz për të humbur, prandaj kundërshtoj çdo tentativë të tillë, e sidomos kur ajo ngritet në nivel strukture ku unë bëjë pjesë.
Prandaj, nuk mund ta respektoj asnjë vendim të degës së LDK-së në Vushtrri, ku unë mbaj pozitën e nënkryetarës, e ku i njëjti është në kundërshtim me Statutin e LDK-së.
Jam pro çdo vendimi që kërkon përgjegjësi ndaj çdo anëtari që sillet në kundërshtim me qëndrimet e LDK-së, por një vendimi të tillë duhet ti paraprijë një mori debatesh e analizash para se të ndërmarrim veprime konkrete që mund ta dëmtojnë rëndë imazhin e partisë tonë.
Vendimet duhet ti marrim si ekip (shumicë), pas debatave dhe vetëm në të mirë dhe avancim të subjektit që përfaqësojmë.
Kishte me qenë e rrugës që bashkërisht të ulemi e të bisedojmë për rezultatin e fundit, përgjegjesit kryesor të humbjes tonë në Vushtrri dhe asesi të ndërmarrim iniciativa në kundërshtim me Statutin e LDK-së.
Rrezarta Krasniqi,
Deputete e LDK-së dhe Nënkryetare e degës së LDK-së në Vushtrri