Vrasësi i 77 personave në Norvegji del para gjyqit dhe tallet me një mesazh në rrobat e tij

Andres Behring Brevik, vrasësi i masakrës së Utoya në Norvegji, ka kërkuar lirimin me kusht. Ai vrau në vitin 2011, 77 persona në një sulm me bombë dhe kërkon lirimin me arsyetimin se nuk është më i rrezikshëm.
Breivik doli në gjykatë me një mesazh irritues. Vrasësi iu drejtua shtypit me një pankartë dhe një mesazh të ngjitur në xhaketën e tij “Stop gjenocidit të nacionalistëve të bardhë” – një tallje me familjet e viktimave duke qenë se Breivik ka vrarë 77 njerëz.

Brevik, nuk ka shfaqur asnjëherë pendesë dhe sipas ekspertëve është e pamundur që kërkesa e tij të pranohet.
Familjarët e viktimave janë të shqetësuar se mos ai po përdor mundësinë e seancës së gjyqit, për të tërhequr sërish vëmendjen mbi opinionet e tij ekstreme.
Duke frymëzuar në këtë mënyrë njerëz që e mendojnë si ai. Seanca e gjyqit duhet të zgjasë tre ditë, por do të duhen javë para se gjykata të marrë vendimin.
Norvegjia aktualisht ka një koalicion qeverisës me drejtim laburist. Brenda tij janë dhe dy persona të cilët gjendeshin në ishullin e Utoya kur ekstremisti i së djathtës, Breivik, hapi zjarr mbi të rinj laburistë duke vrarë 69 persona, ndërsa pak minuta më parë kishte vrarë tetë të tjerë më një bombë para selisë së qeverisë së Oslos.
Në vitin 2012 Breivik u dënua me dënimin maksimal prej 21 vitesh burg, por me një klauzolë që rrallë përdoret në sistemin gjyqësor norvegjez: ai mund të mbahet deri në një kohë të pacaktuar në burg nëse konsiderohet si një rrezik për shoqërinë./Indeksonline/