Blinken: Ne do të përgjigjemi shpejt e ashpër nëse Rusia dërgon ushtrinë në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi në Berlin se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të përgjigjen shpejt dhe ashpër nëse Rusia dërgon forca ushtarake në Ukrainë.
“Nëse forcat ushtarake ruse kalojnë kufirin ukrainas dhe kryejnë akte të reja agresioni kundër Ukrainës, një përgjigje e shpejtë, e mprehtë dhe e bashkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë do të pasojë”, tha Blinken.
Komenti i Blinken në Berlin duket si një përpjekje për të sqaruar pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, pasi presidenti Joe Biden u kritikua ashpër se tha se një “inkursion i vogël” i Rusisë në Ukrainë do të çonte në një përgjigje jo shumë të fortë.
Kreu i diplomacisë amerikane u përpoq të theksonte unitetin e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre përballë një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës. Ai vuri në dukje se diplomatët amerikanë kanë mbajtur më shumë se 100 takime me aleatët gjatë javëve të fundit, në mënyrë që të sigurojnë një zë dhe veprim të unifikuar kur bëhet fjalë për Rusinë.
“Ky unitet na jep forcë që Rusia nuk mund ta krahasojë. Kjo është arsyeja pse ne po ndërtojmë aleanca dhe partneritete vullnetare. Kjo është arsyeja pse Rusia po përpiqet pamatur të na ndajë”, tha Blinken.
Blinken u takua në Berlin me ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, me qëllim forcimin e unitetit të bllokut perëndimor kundër Rusisë, mes frikës se Moska po planifikon një pushtim të Ukrainës. Ai do të takohet nesër në Gjenevë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Rusia ka vendosur rreth 100.000 trupa pranë kufirit ukrainas dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha dje se ai mendon se Rusia do të sulmojë Ukrainën. Biden paralajmëroi presidentin Vladimir Putin se Rusia do të paguajë një “çmim të lartë” në rast të një pushtimi, në jetë të humbura dhe përjashtime të mundshme nga sistemi bankar global.
Moska me këmbëngulje mohon se po planifikon një ofensivë ndaj Ukrainës dhe sot akuzoi Perëndimin për idenë e provokimeve në Ukrainë, duke vënë në dukje se Britania e Madhe kishte dërguar armë në Ukrainë me avionë ushtarakë ditët e mëparshme.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharov tha sot se pretendimet ukrainase dhe perëndimore për sulmin e afërt rus në Ukrainë janë “një perde për përgatitjen e provokimeve të tyre në shkallë të gjerë, duke përfshirë ato të natyrës ushtarake”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO po përballen me një detyrë të vështirë në lidhje me krizën ukrainase.
Biden tha se nuk kishte plane për të dërguar trupa në rast të një pushtimi rus, por ai mund të zgjidhte një sërë opsionesh ushtarake më pak dramatike, por të rrezikshme, duke përfshirë mbështetjen për rezistencën ukrainase pas pushtimit.