75 Mall Live Search
14:52 / E Premte, 21 Janar 2022 / k.v

Arrestimi i Lirim Jakupit/ Familjarët: Ndalimi i tij nuk ndërlidhet me vrasjen e Bakush Veselit

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar sot se ka ndaluar edhe një person, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 12 Shtator 2021, në Gjilan, ku me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri Bakush Veseli.

I arrestuar për këtë rast është Lirim Jakupi. Familjarët e tij kanë telefonuar në redaksinë e IndeksOnline duke mohuar se ai është i përfshirë në vrasje.

“Arrestimi i Lirimit nuk ndërlidhet me vrasjen e ndodhur në Gjilan ashtu siç është publikuar nëpër media por për një rast tjetër, pengim në drejtësi”, ka thënë përmes telefonit një person duke u prezantuar si familjar i Lirimit.

Ai thotë se shtëpia e Lirimit është bastisur edhe para dy dite nga njësitet e specializuara.

“Policia ka lënë një ftesë për Lirimin që të paraqitet në stacion dhe ai është vetdorëzuar të enjten në orën 14:00. Edhe më herët ka pas një dezinformim të tillë dhe për të njëjtën arsye janë paditur disa media”, ka thënë ndër të tjera personi i prezantuar si familjar i Lirim Jakupit.

Ndaj Lirim Jakupit, Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këtë rast, me kërkesë të prokurorisë, të pandehurit Faton Osmani, Gëzim Bajrami dhe Irfan Veseli, gjenden nën masën e paraburgimit./IndeksOnline/