OKB dënon sulmin vdekjeprurës ajror në burgun e Jemenit

OKB-ja ka dënuar sulmin ajror në një qendër paraburgimi në Jemen që ka vrarë më shumë se 70 persona.
Objekti në Saada, një bastion i lëvizjes rebele Houthi në Jemenin veriperëndimor, u godit të premten, shkruan BBC.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha në një deklaratë se “përshkallëzimi duhet të ndalet”.
Në anën tjetër, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton rebelët Houthi, mohoi se kishte kryer sulmin ajror.
Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë luftuar kundër rebelëve Houthi që nga viti 2015.
Dhjetëra mijëra civilë, duke përfshirë më shumë se 10,000 fëmijë, janë vrarë ose plagosur si rezultat i drejtpërdrejtë i luftimeve.
Miliona janë zhvendosur dhe shumica e popullsisë është në prag të urisë.
Disa orë pas sulmit ajror, punonjësit e shpëtimit po nxirrnin trupa nga rrënojat dhe shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po shuhen.
Numri i saktë i të vdekurve është i paqartë.
Sipas Médecins Sans Frontières (MSF), të paktën 70 njerëz u vranë, megjithëse numri pritet të rritet.