75 Mall Live Search
17:56 / E Diele, 30 Janar 2022 / AR

​Stoltenberg: Në rast pushtimi, NATO nuk ka plane të vendosë trupa në Ukrainë

NATO nuk ka plane për të vendosur trupa luftarake në Ukrainë në rast të një pushtimi rus, tha sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Ne nuk kemi asnjë plan për të vendosur trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë, vëmendja jonë është e përqendruar në ofrimin e mbështetjes”, tha Stoltenberg për BBC.

Ai tha se ka një ndryshim midis të qenit anëtar i NATO-s dhe të qenit një partner i fortë dhe shumë i respektuar, siç është Ukraina.

“Nuk ka dyshim për këtë”, shtoi Stoltenberg.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje vendeve perëndimore që të mos përhapin “panik” për tensionet me Rusinë, të cilën ata e akuzojnë se po përgatit një sulm ndaj Ukrainës, ndërsa në të njëjtën kohë i kërkoi asaj të sinjalizojë se nuk do të sulmojë.

Thirrja e Zelensky vjen në një kohë kur presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord për “nevojën për të qetësuar” tensionet.

Më shumë se 100.000 trupa ruse janë vendosur përgjatë kufirit ukrainas, një shenjë për Uashingtonin se një sulm është i mundur në të ardhmen e afërt.