75 Mall Live Search
14:59 / E Hënë, 31 Janar 2022 / MSH

Kremlini akuzon ShBA-në për nxitje të “histerisë” mbi Ukrainën

Rusia ka akuzuar Uashingtonin për nxitje të “histerisë” lidhur me krizën në kufirin ukrainas, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë sot tensionet.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Uashingtoni dhe mediat amerikane kanë ngritur frikën e një pushtimi rus, shkruan CNN.

“Për zhgënjimin tonë, mediat amerikane kohët e fundit kanë publikuar një sasi shumë të madhe informacionesh të paverifikuara, të shtrembëruara dhe qëllimisht mashtruese për atë që po ndodh në Ukrainë dhe rreth saj”, tha Peskov të hënën.

“Histeria e ngritur nga Uashingtoni po shkakton histeri në Ukrainë, pothuajse deri në atë pikë sa njerëzit po paketojnë valixhet për në front. Është një fakt” shtoi Peskov, duke komentuar mosmarrëveshjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me ShBA-në.

Në një telefonatë javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara. Joe Biden paralajmëroi homologun e tij ukrainas se një sulm rus mund të jetë i afërt.

Zelensky, megjithatë, ritheksoi qëndrimin e tij se kërcënimi nga Rusia mbetet “i rrezikshëm, por i paqartë” dhe nuk është e sigurt që një sulm do të ndodhë.

Të hënën, Peskov u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë që të marrin një qasje më konstruktive dhe tha se kërcënimi i fundit i sanksioneve nga Mbretëria e Bashkuar është jashtëzakonisht shqetësues.