Hoxhaj: Kurti dhe Osmani duhet të sqarojnë se çfarë kanë diskutuar me Lajçak dhe Escobar

Enver Hoxhaj i PDK-së ka thënë se krerët e shtetit duhet të sqarojnë diskutimet që kanë bërë me të ngarkuarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të ngarkuarin e BE’së në dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak. Hoxhaj thotë se vizitën e emisarëve në Kosovë e ka parë në vazhdën e letrës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Absolutisht nuk është ndonjë vizitë e rëndomtë. S’mund të ndodhë që dy përfaqësuesit më të lartë që merren me Ballkan, Escobar dhe Lajçak vijnë papritmas në Kosovë, kalojnë dy ditë dhe qëllimi i vizitës është të takojnë z.Kurti, z.Osmani apo edhe liderë të tjerë”, tha Hoxhaj në emisionin DPT te Fidani në T7.
“Unë vizitën e kam parë më shumë në vazhdën e letrës së Blinken”, shtoi Hoxhaj.
“Mendoj se atë që kanë ngrit dje dhe sot nga kontaktet që kanë pasur nga kolegët e mi nga PDK është se temë kryesore, dhe çfarë tha dhe Lajçak në media zyrtarisht, qëllim kryesor është që të përgatitet një takim i madh meqë pas takimit që kishte Kurti në qershor dhe në korrik duket që amerikanët dhe europianët nuk janë fare të kënaqur dhe qëllimi kryesor i vizitës ishte që të ketë një takim në mes të kryeministrit Kurti dhe z.Vuçiq. Temë mund të jenë aty edhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe cili do të jetë roli i Kosovës, mund të jetë edhe çështja e energjisë në veri, mund të jenë edhe targat por natyrisht mund të jetë edhe Asciacioni meqë këto ditët e fundit ka pasur deklarata publike zyrtare prej Escobar dhe Hovenier ”, shpjegoi Hoxhaj.
“E ndoqa me vëmendje konferencën për shtyp. Përvoja ime diplomatike është që kur në konferenca për shtyp thuhet shumë pak, realisht brenda ndodh shumë. Unë mendoj se zonja Osmani dhe kryeministri Kurti do të duhej ta sqarojnë opinionin publik se për çfarë është folur. Është në interes të qytetarëve që të dinë një gjë të tillë”, theksoi ai.