Ministri Krasniqi mbledh në takim kryetarët e komunave, cili ishte mesazhi i Qeverisë për Komunat e Kosovës?

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi vazhdon të ketë afërsi dhe bashkëpunim me të gjithë kryetarët e komunave.
Sot ministri Krasniqi ka pritur në takim kryetarët e komunave në një tryezë të përbashkët ku janë diskutuar shumë tema me qëllim të përmirësimit të funksionimit të nivelit lokal.
Në takim është diskutuar edhe thellimi i bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndërkufitar.
“Së bashku me Kryetarët e Komunave, sot në tryezën e përbashkët koordinuese kemi diskutuar për zhvillimin e nivelit lokal, planet për të ardhmen dhe sfidat me të cilat përballen Kryetarët e Komunave.
Gjatë kësaj tryeze, në fjalën time, kam falemnderuar Kryetarët e Komunave për bashkëpunimin korrekt duke theksuar përkushtimin dhe angazhimi e tyre në përballjen me pandeminë COVID-19.
Gjithashtu, para Kryetarëve të Komunave, kam shpalosur prioritetet, planet dhe projektet e MAPL-së, duke u bazuar në agjendën legjislative e cila ka për qëllim ndryshimet e nevojshme për përmirësimin e funksionimit të nivelit lokal, në rritjen e fondeve për Komunat me qëllim të rritjes së mbështetjes së nivelit lokal përmes projekteve kapital dhe projekteve tjera për grupet e margjinalizuara dhe komunitetet si dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndërkufitar.
Gjatë këtij diskutimi, Kryetarët e Komunave, kanë ngritur disa çështje të cilat lidhen me nivelin lokal duke theksuar gatishmërinë e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit të plotë në mes të nivelit lokal dhe qendror.
Në fund, me vëmendje i kam pranuar temat e trajtuar nga Kryetarët e Komunave dhe kam theksuar se tryeza të tilla koordinuese do të vazhdojnë të mbahen në mënyrë të rregullt” shkruan ministri Krasniqi në njoftim./Indeksonline/